Avokati i Popullit priti kryetaren e Këshillit Nacional dhe të Kuvendit Federal të Zvicrës, znj. Maya Graf

02/04/2013

02.04.2013 – Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi ka mirëpritur në Zyrën Qëndrore të IAP-së Kryetaren e Këshillit Nacional dhe të Kuvendit Federal të Zvicrës, znj. Maya Graf, të shoqëruar nga Zëvendës Kryetari i Parë i Këshillit Nacional Zvicëran dhe nga anëtarë të Parlamentit të Zvicrës.
Bashkë me mirëseardhjen z. Kurteshi shprehu kënaqësinë për vizitën e delegacionit zviceran, duke e konsideruar si shenjë përkrahjeje për të drejtat e njeriut, e për shtet të së drejtës dhe të demokracisë. Ai e njoftoi për misionin dhe mandatin që ka IAP dhe punën që bën ky institucion në përmbushje të obligimeve kushtetuese dhe ligjore, si institucion shtetëror për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Kryetarja e Këshillit Nacional dhe e Kuvendit Federal të Zvicrës, Maya Graf, falënderoi përzemërsisht për pritjen dhe theksoi se Zvicra ka një relacion të afërt e të fuqishëm me Kosovën për faktin se atje jetojnë rreth 170 000 qytetarë me prejardhje nga Kosova, të cilët janë të integruar në jetën shoqërore dhe institucionale të Zvicrës. Kryeparlamentarja zvicërane u interesua për situatën e përgjithshme në Kosovë, gjendjen e të drejtave të njeriut, zhvillimin ekonomik, shtetin e së drejtës , sfidat e komuniteteve pakicë, me theks të veçantë për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas. Znj. Graf dhe anëtarët tjerë të parlamentit u interesuan lidhur me kushtet që këto komunitete kanë në Kosovë dhe mundësitë e një jete të dinjitetshme për të kthyerit nga këto komunitete.
Ishte vlerësim i këtij takimi se të drejtat dhe liritë e njeriut janë elemente qenësore në një shtet demokratik dhe në këtë prizëm, roli i Avokatit të Popullit është shumë i rëndësishëm e Zvicra do ta ofrojë mbështetjen e saj në këtë drejtim.
Si një prej shteteve që ndër të parat ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe me raportin e ngushtë mes dy vendesh për shkak të numrit të madh të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë atje, mbështetja e Zvicrës është jashtëyakonisht domethënëse dhe e mirëpritur.