Informatë lidhur me krijimin e Mekanizmit Parandalues Kundër Torturës në Kosovë
22 janar 2013 – Përfaqësues të Institucionit të Avokatit të Popullit, Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut u takuan me kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi për ta informuar për aktivitetet e Grupit Punues (nga këto tri organizata) për formimin e Mekanizimit Parandalues Kundër Torturës.
Qeveritë e shteteve anëtare të OKB-së janë të obliguara ta formojnë MPKT i cili bënë vizita të rregullta ne vendet ku mbahen personat e privuar nga liria i cili është i pavarur në mënyrë të respektojë, mbrojë dhe përmbush të drejtat e personave në vendet e ndalimit në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut të cilat janë të zbatueshme me ligjet e Kosovës. Protokolli Opsional i Konventës së OKB-së kundër torturës dhe trajtimeve tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese përcakton standardet e pranuara ndërkombëtarisht të të drejtave të njeriut për parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi e mirëpriti këtë iniciativë të Grupit Punues duke premtuar përkrahje deri në çastin kur ky Mekanizëm, pas krijimit të bazës ligjore dhe sponsorisimit nga Qeveria e Kosovës të votohet nga deputetët e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi theksoi rëndësinë e respektimit të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe personave të privuar nga liria në veçanti, si parakusht për ndërtimin e një shteti demokratik.
Në aktivitetet e deritashme Grupi Punues ka vizituar vendet e rajonit për t’u informuar për punën e mekanizmave ekzistues dhe planifikon edhe vizita të tjera. Ky Grup Punues do të takojë në të ardhmen edhe kryeministrin e Kosovës dhe presidenten për t’i informuar për krijimin e MPKT-së si dhe shefat e grupeve parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.