Avokati i Popullit priti drejtorin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë

21/01/2013

21 janar 2013 – Përfaqësuesit e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë vizituan Institucionin e Avokatit të Popullit. Tema e takimit mes Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi dhe drejtorit të këtij instituti Prof. Dr Zejnullah Gruda me bashkëpunëtorë ishte bashkëpunimi me IAP-në në mbledhjen e fakteve dhe dëshmive lidhur me krimet dhe aktet e gjenocidit të kryera në Kosovë gjatë periudhës së luftës.
Mungesa e të dhënave të sakta lidhur me të vrarët dhe krimet që kanë ndodhur në periudhën 1998- 1999 ka shtyrë në krijimin e këtij Instituti, si institucion publik hulumtues me qëllim të mbledhjes, sistematizimit, përpunimit dhe publikimit të dhënave për krime kundër paqes, krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe akteve të gjenocidit të kryera në Kosovë gjatë periudhës së lartpërmendur. Ky Institut aktualisht funksionon në kuadër të Ministrisë Drejtësisë.