Avokati i Popullit takoi Kryeprokurorin e Shtetit

15/01/2013

15 janar 2013 – Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi vizitoi Kryeprokurorinë e Shtetit dhe takoi z. Ismet Kabashi, kryeprokuror. Në këtë takim u bisedua lidhur me procesin e ristrukturimit të sistemit prokurorial dhe bashkëpunimi në të ardhmen mes dy institucioneve.
Tashmë është bërë ndarja e re në sistemin prokurorial: në Prokurorinë e Shtetit, Prokurorinë e Apelit, si dhe Prokuroritë Themelore në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj, si dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës, si dhe është paraparë numri i nevojshëm i prokurorëve për të gjitha nivelet.
U theksua po ashtu se sa i përket ligjeve, veçmas atyre që prekin çështje të ndjeshme siç është korrupsioni etj. aktet ligjore duhet të jenë më precize ( të mos ketë kompetencë plotësuese) dhe qartas të definohen kompetencat institucionale, në mënyrë që të dihet saktë vija llogaridhënëse varësisht nga fusha përgjegjësisë që u takon institucioneve.
Dyanshëm u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të dy institucioneve, me synim ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe në përmbushje të misionit dhe mandatit që kanë, të përcaktuar me kushtetutë.