Avokati i Popullit vizitoi Këshillin Gjyqësor
9 janar 2013 – Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, realizoi një vizitë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me ç’rast u takua me kryesin e KGJK, z. Enver Peci. Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësi i Avokati i Popullit, z. Isa Hasani.
Takimi kishte për synim njohjen e Avokatit të Popullit, lidhur me reformat e gjyqësorit, sipas Ligji për Gjykatat nr. 03/L-199, i cili ka filluar të zbatohet nga data 1 janar 2013, me te cilin njëherit përcaktohet një strukturë e re organizative e gjyqësorit, me ndikim në lëvizje të gjyqtarëve dhe të personalit administrativ, si dhe të bartjes dhe regjistrimit të lendeve gjyqësore. Ky proces i reformave të gjyqësorit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në lëndët e pazgjidhura të qytetarëve, e në këtë drejtim edhe të ankesave, të cilat paraqiten në IAP, lidhur me vendosjen e lëndëve gjyqësore.
Z. Kurteshi theksoi se gjyqësori, si shtyllë e tretë e pushtetit shtetëror-kushtetues, ka vlerën shumë të madhe në sistemin e drejtësisë, përkatësisht në perceptimin e qytetarëve të vendit në funksionalizimin e drejtësisë, pasi mbrojtja e të drejtave të tyre të garantuara me kushtetutë realizohet në institucionet e gjyqësore, ndërkaq interesi ynë është që të kemi një gjyqësor funksional dhe të besueshëm për të gjithë qytetaret. Institucioni i Avokatit të Popullit, si kategori kushtetuese, bazuar në mandatin e tij ligjor është i interesuar të mbështesë dhe përkrahë gjyqësorin, në mënyrë që këto reforma të mëdha në të cilat po kalon, që ato të jenë të suksesshme dhe funksionale.
Z. Peci, pasi e falënderoi Avokatin e Popullit për interesimin, mbështetjen dhe gatishmërinë e ndihmës, lidhur me reformat për konsolidimin e gjyqësorit, njoftoi se reformat gjyqësore janë të nevojshme sipas Ligjit për Gjykata, por kjo është edhe kërkese që del nga Raportit i Progresit për Stabilizim Asocim të Këshillit të Evropës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që ky reformim të bëhet pa ndikim negativ në shqyrtimin e lëndëve gjyqësore të qytetarëve. Ai përmendi gjithahstu edhe vështirësitë e këtij procesi kompleks dhe sfidues.
Ishte konstatim i përbashkë se bashkëpunimi mes IAP-së dhe gjyqësorit është më se i domosdoshëm, në përpjekje për të funskionalizuar institucionet dhe për të zbatuar mandatin kushtetues që kanë, në përmbushje të interesave të qytetarëve.