KOMUNIKATË E IAP-së PËR MJETET E INFORMIMIT
18 dhjetor 2012 – Institucioni i Avokatit të Popullit ( IAP ) shpreh shqetësimin për ngjarjet e ditëve të fundit lidhur me sulmin fizik gjatë prezantimit të “Kosova 2.0” në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe sulmin ndaj organizatës “Libertas”.
Avokati i Popullit ka përcjellë nga afër ngjarjet që kanë ndodhur me rastin e publikimit dhe promovimit të numrit më të ri të revistës “Kosova 2.0”, si dhe dhunën që ka pasuar ndaj organizatës “Libertas”.
Sulmet fizike dhe verbale, kërcënimet e drejtëpërdrejta dhe përmes portaleve elektronike e rrjeteve sociale, demolimi i sallës ku duhej të mbahej aktiviteti i paralajmëruar e veprime të tjera të ngjashme, kanë cenuar të drejtat kushtetuese shprehjen e lirë, të drejtën e tubimit dhe të drejtën e asociimit dhe lirinë e mediave.Pa marrë parasysh se cilave grupe u takojnë ata që sulmuan, veprimet e tyre paraqesin jotolerancë, veprim ekstrem të papranueshëm dhe cenim të rendit ligjor dhe demokratik.
IAP u bën thirrje institucioneve kompetente, organeve të rendit dhe të drejtësisë, që të veprojnë në pajtim me përgjegjësitë që kanë dhe të hetojnë rastet e sulmeve. IAP e vlerëson reagimin professional të forcave të rendit në situatën e krijuar.
IAP tërheq vëmendjen se ngritja e vetëdijes dhe parandalimi i veprimeve të tilla të skajshme janë detyrë e gjithë institucioneve të vendit, përfshirë dhe IAP-në që tashmë ka në strukturën funskionale edhe njësinë për rastet LGBT.