U shënua 10 dhjetori, Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut

11/12/2012

10 dhjetor 2012 – Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim dhe përkrahje nga Zyra e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shënuar 10 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut me organizimin e tryezës me temën “ Pjesëmarrja dhe përfshirja nuk janë privilegj, por e drejtë”.
Përfaqësues të grupeve më të cenuara në shoqëri kanë paraqitur sot sfidat e vështirësitë që kanë, nën moton: Zëri im, e drejta ime – Fjala ime vlenë! Përfaqësues të kategorive më të ekspozuara diskriminimit dhe pabarazisë rikonfirmuan zëshëm se pjesëmarrja në jetën publike dhe në vendimmarrje është e drejtë, dhe jo privilegj, si dhe faktin se të drejtat e njeriut nuk i takojnë një dite, por ato duhet të respektohen, mbrohen e promovohen për çdo ditë.
Tema që ka shënuar 10 dhjetorin e këtij viti i është referuar neneve nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut për të drejtën e tubimit dhe asocimit, të drejtën për pjesëmarrje në zgjedhje, në jetë publike dhe institucione vendimmarrëse, si dhe të drejtën e shprehjes së opinionit.
Përmbushja e të drejtës për të marrë pjesë në jetën publike është thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe një sistemi efektiv për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përfshirja e të gjithëve në proceset vendim-marrëse është një parakusht thelbësor për arritjen e të dyjave.
*Kombet e Bashkuara, përkatësisht Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, çdo vit, me 10 dhjetor, shënon ditën e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar në vitin 1948, me të njëjtën datë. Kjo ditë shënohet nëpër shtete të ndryshme anë e kënd botës, përfshirë dhe Kosovën.