U mbajt tryeza “Biznesi dhe të drejtat e njeriut”

27/11/2012

21 nëntor 2012 -Në vazhdën e aktiviteteteve në javën që kanë shënuar 12-vjetorin e themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) është organizuar tryeza e rrumbullakët “Biznesi dhe të drejtat e njeriut”.

Tryeza ka ofruar mundësinë e një bashkëbisedimi mes Avokatit të Popullit, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Shoqatës së Konsumatorëve, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), përfaqësuesve të Ministrisë së Financave (MF) dhe Ministrisë për Punë e Mirëqenie Sociale (MPMS), të kompanive private, të UNDP-së etj., lidhur me veprimtaritë biznesore dhe të drejtat e njeriut në Kosovë. Diskutimet konstruktive dhe në frymën e temës, e cila trajtohej kanë nxjerrë në pah mangësi e fërkime ligjore, shkelje të të drejtave të njeriut nga bizneset, por gjithashtu janë theksuar edhe elemente pozitive në drejtim të respektimit të normave dhe standardeve në këtë aspekt. Vështrimi i kësaj çështjeje nga pozicione të ndryshme ka hapur mundësinë e konceptimeve dhe këndvështrimeve të ndryshme.
Nga kjo tryezë dolën një numër rekomandimesh, të cilat do të plotësohen më tutje, para se të marrin trajtën përfundimtare dhe të përcillen përmes Raportit të IAP-së.
Rekomandimet nga tryeza:
• Fushatë sensibilizuese për të drejtat e njeriut në relacion me bizneset,
• Aktivizimi i dialogut mes partnerëve ekonomiko-social,
• Marrja e përgjegjësive për zhvillimin ekonomiko – social,
• Gjetja e zgjidhjeve të përshtatshme për zbatimin e Marrëveshjes kolektive,
• Mbështetja e të drejtave, interesave dhe dinjitetit të konsumatorit,
• Roli vendimtar i institucioneve të vendit për përcaktimin e një mjedisi të përshtatshëm për zhvillimin e biznesit dhe njëkohësisht respektimin e të drejtave të njeriut,
• Zbatimi i ligjeve dhe aktiviteteve të tjera normative me fokus në pjesët që lidhen me të drejtat e gjinisë femërore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.