U SHËNUA DITA UNIVERSALE E FËMIJËVE

21/11/2012

20 nëntor 2012 – Institucioni i Avokatit të Popullit ( IAP ) me rastin e Ditës Universale të Fëmijëve ka pritur në një vizitë të veçantë një grup fëmijësh nga shkollat e Komunës së Prishtinës. Fëmijët janë njoftuar me punën e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe kanë marrë përgjigje në pyetjet e tyre lidhur me të drejtat e fëmijëve.
Gjithashtu fëmijët gjatë kohës sa kaluan në IAP u takuan me Avokatin e Popullit Sami Kurteshi, me të cilin patën një bashkëbisedim lidhur me të drejtat e fëmijëve, telashet me të cilat ata ballafaqohen, kërkesat e tyre dhe mundësitë e rrugët për t’i zgjidhur ato.
Me 20 nëntor 1959 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës. Po me 20 nëntor, në vitin 1989, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar edhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Që nga viti 1999, Dita Universale e Fëmijëve shënon edhe përvjetorin e datës kur Asambleja e Përgjithshme ka miratuar këto dokumente. Kjo ditë shënohet tradicionalisht në IAP.
Fëmijët po ashtu patën rastin të takojnë për pak kohë edhe z. Samuel Zhbogar, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili me bashkëpunëtorët e tij vizitoi IAP-në dhe u prit në një takim të veçantë nga z. Sami Kurteshi, Avokat i Popullit.