U MBAJT TRYEZA “QYTETARI NË UDHËKRYQ”
19 nëntor 2012 – Me tryezën “Qytetari në udhëkryq” kanë filluar aktivitetet e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) për të shënuar 12 vjetorin e themelimit të këtij institucioni.
Tryeza e sotme ka sjellë ne fokus të diskutimit sfidat në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike (LQDP), Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjin për Klasifikimin e Informacionit dhe Verifikimin e Sigurisë nga këndvështrimi i institucioneve të pavarura dhe nga shoqëria civile.
Ishte konkludim i përbashkët i pjesëmarrësve të këtij diskutimi se është i domosdoshëm sensibilizimi i opinionit publik për të realizuar të drejtën e qasjes në dokumente publike, si dhe ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe autoriteteve publike për obligimet që kanë për të respektuar këtë të drejtë dhe për të zbatuar Ligjin për qasje në dokumente publike.
U kërkua po ashtu që presioni publik për të kërkuar transparencë nga institucionet të jetë më i madh duke kontribuar në këtë mënyrë në respektimin e një të drejte thelbësore e cila është e garantuar me Kushtetutën e vendit dhe me aktet ndërkombëtare.
Këto aktivitete zhvillohen me mbështetjen e OSBE-së – misioni në Kosovë.