FTESË MEDIEVE

17/11/2012

Me rastin e shënimit të 12 vjetorit të themelimit organizon një varg aktivitetesh të cilat sjellin në fokus të diskutimit shqetësime dhe çështje të ndjeshme nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut.
Me këtë rast ju ftojmë për të mbuluar medialisht këto ngjarje dhe për të kontribuar në këtë mënyrë në ngritjen e vetëdijes për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut
Kalendari i ngjarjeve është si më poshtë:
19 nëntor 2012 ( e hënë), në hotel “Prishtina” në Prishtinë, nga ora 10:00- 13:00 Tryeza e rrumbullakët “QYTETARI NË UDHËKRYQ”
Sfidat në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike (LQDP), Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjin për Klasifikimin e Informacionit dhe Verifikimin e Sigurisë nga këndvështrimi institucional në njërën anë dhe në anën tjetër nga qytetarët, shoqëria civile dhe gazetarët, do të jenë subjekt i diskutimit proaktiv përgjatë zhvillimit të punimeve në këtë Tryezë.
20 nëntor 2012 ( e martë), nga ora 13:00 – 14 :00, Institucionin e Avokatit të Popullit do ta vizitojnë fëmijët e shkollave fillore me rastin e Ditës Universale të Fëmijëve
Me 20 nëntor 1959 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës. Po me 20 nëntor, në vitin 1989, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar edhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Që nga viti 1999, Dita Universale e Fëmijëve shënon edhe përvjetorin e datës kur Asambleja e Përgjithshme ka miratuar këto dokumente. Kjo ditë shënohet tradicionalisht në IAP.
21 nëntor 2012 (e mërkurë), në hotel “Prishtina” në Prishtinë, nga ora 11:00- 13:00 Tryeza e rrumbullakët “BIZNESI DHE TË DREJTAT E NJERIUT”
Tryeza ka për qëllim të ofrojë mundësinë e një diskutimi të përbashkët mes përfaqësuesve të institucioneve dhe autoriteteve publike, përfaqësuesve të biznesit privat, si dhe të shoqërisë civile, lidhur me të bërit biznes dhe të drejtat e njeriut. Vështrimi i kësaj çështje nga pozicione të ndryshme hap mundësinë e koncepteve që dallojnë mes vete.
23 nëntor 2012 (e premte) në hotel “Prishtina” në Prishtinë, nga ora 11:00 – 13:00
Tryezë e rrumbullakët “KUNDËR DHUNËS NDAJ GRUAS”
Kjo Tryezë është pjesë e aktiviteteve për avokimin dhe sensibilizimin e opinionit kundër dhunës ndaj gruas. Në këtë prizëm, do të theksohet roli i Avokatit të Popullit në luftën për barazi gjinore e kundër diskriminimit, si dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe mediat në këtë drejtim, duke ofruar një pasqyrë të përgjithshme lidhur me sfidat dhe arritjet, bashkë me përfaqësuesit e institucioneve të pushtetit në nivelin qendror dhe lokal.
Këto aktivitete zhvillohen me mbështetjen e OSBE-së – misioni në Kosovë.