Kryeparlamentari vizitoi Institucionin e Avokatit të Popullit
Prishtinë, më 09. 10. 2012 – Avokati i Popullit, Sami Kurteshi bashkë me zëvendësit dhe bashkëpunëtorët ka pritur në një takim të veçantë kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqin, të shoqëruar nga këshilltarët e tij dhe zyrtarë të stafit mbështetës . Takimi u përqëndrua në punën, sfidat dhe vështirësitë që IAP ka në përmbushjen e misionit dhe kompetencave që ka.
Avokati i Popullit falënderoi kreun e Parlamentit për vizitën , duke e konsideruar dëshmi të përkrahjes së Kuvendit për IAP-në, në permbushje të misionit kushtetues e ligjor për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individit. Gjatë këtij takimi z. Kurteshi ka shpjeguar strukturën e brendshme të institucionit dhe fushat ku përqëndrohet puna. Ai ka theksuar se secili person që i drejtohet IAP-së merr detyrimisht një përgjigje, duke mos lënë hapësirë për heshtjen administrative që është e papranueshme në njëadministratë moderne dhe duke dëshmuar në anën tjetër se institucioni është aty për qytetarin.
Kreu i Kuvendit, ndërkaq, falënderoi z. Kurteshi për pritjen e ngrohtë që i bëri dhe e përgëzoi atë për sukseset e arritura, duke e inkurajuar gjithashtu që të vazhdojnë edhe më tej në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore. “Gjykata Kushtetuese dhe Institucioni i Avokatit të Popullit, janë institucionet e pavarura më të veçanta, sepse, Kuvendi merr pjesë drejtpërdrejtë në zgjedhjen e tyre”, tha Krasniqi. Ai ka përkujtuar se në shoqëritë e tranzicionit, vendosja e demokracisë dhe zbatimi i rendit dhe ligjit paraqesin sfidë të madhe, andaj në këtë kontekst roli i Avokatit të Popullit mbetet i pazëvendësueshëm. Gjithashtu ai i sugjeroi IAP-së që të bashkëpunojnë edhe më ngushtë me Komisionet Parlamentare, veçmas me ato përkatëse.
Kryekuvendari siguroi se IAP do të ketë mbështetje edhe në të ardhmen nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Vizita e kryeparlamentarit në IAP është bërë në kuadër të bashkëpunimit dhe kontakteve të ndërsjella që Kuvendi i Kosoves ka me institucionet e pavarura të cilat i raportojnë drejtëperdrejtë, e IAP ështe një nga të tillat, percaktuar me kapitullin XII të Kushtetutës.