Reagim në shkrimin e gazetarit Fadil Sertolli lidhur me çështjen e targave, në gazetën ZËRI

05/09/2012

Për hir të së vërtetës, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) është i detyruar të reagojë ndaj shkrimit të gazetarit Fadil Sertolli , të botuar në gazetën “Zëri” të datës 4 shtator 2012 ( faqe katër), me titull “Ombudspersoni pro targave ilegale”.
Gazetari Sertolli ka ndërtuar shkrimin e tij mbi të pavërteta dhe sajime. Avokati i Popullit, asnjëherë, askund nuk ka mbajtur qëndrim, as ka marrë vendim mbi çështjen e targave të jashtëligjshme. Për Avokatin e Popullit është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e konsideron lojë të rrezikshme populiste paralelizmin e bërë midis IAP-së dhe “lobin serb”. Kjo është një akuzë që tejkalon cakun e informimit gazetaresk dhe bën pjesë në diskualifikimin politik linçues. Si e tillë, mbetet detyrë e gazetës Zëri dhe e Këshillit të Pavarur për Media të analizojë shkrimin në fjalë.
Dezinformimi dhe shtrembërimi është konstruktuar nga gazeta(ri) duke shfrytëzuar edhe prononcimet institucionale. Nga kontakti me zëvendësministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) z. Ismet Ibishi lidhur me deklarimin e tij për gazetën Zëri lidhur me temën në fjalë, jemi në dijeni se ajo çfarë ai ka deklaruar për gazetën nuk përkon tërsisht me atë që është shkruar nga gazetari Sertolli, duke filluar që nga konstatimi i vënë në titull.
Meqenëse “lajmi” është botuar, IAP i bën thirrje publike redaksisë së Zërit, gazetarit në fjalë apo institucioneve e autoriteteve të cilave ju referohet ai, ta dëshmojnë konstatimin e tyre duke ofruar informata publikisht se kush, kur dhe si e ka bërë kërkesën e pretenduar nga gazetari Sertolli.

Gazetari Sertolli ka kontaktuar edhe zëdhënësen e IAP-së permes telefonit, me pyetjen nëse është pranuar ndonjë ankesë lidhur me cështjen e përdorimit të targave( dhe jo siç e paraqet në shkrimin e tij). Në pamundësi të verifikimit të atypëratyshëm të të dhënave për ankesën, gazetarit nuk i është pohuar as mohuar fakti për ndonjë ankesë të tillë. Por pyetja aspak s’ka pasur të bëj me qëndrimin e Avokatit të Popullit lidhur me çështjen e targave (mund t’i referoheni bisedës telefonike me zëdhënësen e IAP-së).
Për të qartësuar lexuesit e Zërit dhe qytetarët e Kosovës, IAP deklaron se është duke e trajtuar ankesën e një qytetari të Republikës së Kosovës lidhur me urdhëresën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për çshtjen e targave. Rasti është i hapur në IAP dhe, në gjithë komunikimin institucional verbal dhe me shkrim, IAP nuk është deklaruar pro ose kundër kësaj urdhërese, por ka kërkuar informata lidhur me bazën ligjore të urdhëresës dhe veprimeve të MPB-së në lidhje me këtë çështje.
Në kërkesat dhe letrat e Avokatit të Popullit institucionet publike të Republikës së Kosovës janë të obliguara të përgjigjen. Komunikimi i brendshëm midis institucioneve publike të Republikës së Kosovës nuk është material për media. Mirëpo, nëse kjo do të jetë e nevojshme për të zbardhur të vërtetën, atëherë duhet të ofrohen shkresat origjinale, bazuar në obligimin për ruajtjen e konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale, pra duke anonimizuar të dhënat personale të ankuesit/sve.
Avokati i Popullit rikonfirmon qëndrimin se respektimi i Kushtetutës dhe akteve normative është domsodo për funksionimin e shtetit dhe ndërtimin e besimit në institucionet shtetërore. Barazinë para ligjit duhet ta sigurojnë dhe ta garantojnë, në radhë të parë, mekanizmat shtetërorë. Në kuadër të gjithë kësaj, misioni ligjor dhe kushtetues i Avokatit të popullit është mbrojtja, mbikëqyrja dhe promovimi i të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, përfshirë edhe shkallën e shkeljes së tyre.
Avokati i Popullit nuk pranon asnjë presion nga jashtë në veprimet e tij, pa marrë parasysh rrethanat dhe personat, qofshin ata fizikë apo juridikë.
Prishtinë,
5 shtator 2012