RAPORTI VJETOR I IAP-SË ËSHTË SHQYRTUAR NË KOMISIONET PËRKATËSE PARLAMENTARE

30/08/2012

30.8.2012 – Më 22 gusht 2012, në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të Pagjetur, është shqyrtuar Raporti vjetor 2011 i Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP).
Z. Sami Kurteshi, Avokat i Popullit, ka prezantuar Raportin vjetor 2011-të të IAP-së para anëtarëve të këtij Komisioni, të pranishëm në këtë mbledhje. Në një vështrim të përgjithshëm z. Kurteshi ka thënë se në Raport janë përfshirë të gjitha fushat e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut të parapara dhe të përcaktuara me Kushtetutën e vendit. Ai theksoi se në këtë vit raportues është shtuar diku 10 deri 12 për qind numri i ankesave të qytetarëve drejtuar këtij institucioni, si dhe faktin se mbi 50 për qind e ankesave drejtuar nëpërmjet këtij institucioni, janë zgjidhur pozitivisht nga organet kompetente, pas veprimit të Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit gjithashtu theksoi se përkundër faktit se tashmë Republika e Kosovës ka mekanizma ligjorë dhe insitucionalë për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut, ato vazhdojnë të mos respektohen në masë të duhur, në radhë të parë si pasojë e joefikasitetit të mekanizmave ekzistues, si dhe angazhimit të pamjaftueshëm të institucioneve publike në zbatimin e ligjeve në fuqi. Me tutje, z. Kurteshi ka sqaruar se forma të ndryshme të shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut ende janë evidente. “Rastet e qytetarëve të paraqitura me pohimin për shkelje të të drejtave të njeriut janë shqyrtuar me kujdes në IAP, ndërsa kur është konstatuar se ka shkelje të të drejtave, Avokati i Popullit ka dalë edhe me rekomandime, të cilat u janë dërguar institucioneve përkatëse, por ato nuk janë marrë parasysh çdo herë.”
Në fund, Avokati Popullit i kërkoi Komisioni t’i mundësohet prezantimi në seancë Kuvendi i Raportit, si dhe t’i jepet mundësia që me rastin e shqyrtimit te raportit t’i përgjigjet deputetëve me rastin e parashtrimit të pyetjeve të tyre lidhur me raportin. Kryetarja e Komisionit, znj. Suzanë Novobërdali ka thënë se do ta njoftojë kryetarin e Kuvendit lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit.
Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e Komisionit paraqitën vlerësimet dhe mendimet e tyre lidhur me raportin. Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, zëvendësi i AP, Isa Hasani dhe drejtori ekzekutiv, Jashar Kastrati, iu përgjigjën pyetjeve të shumta të parashtruara nga ana e deputetëve.
Me gjithë vërejtjet e sugjerimet e shtruara, deputetët ishin të pajtimit se Raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2011 është shumë i mirë dhe i qartë dhe se problemet i paraqet realisht. Në këtë frymë, Komisioni vendosi të përkrahë këtë Raport dhe ta procedojë më tutje për shqyrtim në Kuvend.
Raporti i Avokatit të Popullit për Buxhetin është shqyrtuar në mbledhje të veçantë në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa, më datë 28.8.2012.