Komunikatë e Avokatit të Popullit lidhur me sulmet e kohëve të fundit mbi gazetarët dhe mediumet
Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) shpreh shqetësimin lidhur me sulmet e kohëve të fundit ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë.
Prishtinë, 20 korrik 2012 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) e konsideron të paarsyeshme kërkesën e komunës së Mitrovicës për largimin e TV Mitrovicës nga lokalet ku ka zhvilluar punën dhe ndërhyrjen e policisë me këtë rast, në mbështetje të aktit administrativ komunal. IAP vlerëson se është e papranueshme edhe zvarritja e procesit në gjykatë lidhur me kontektsin pronësor për këto hapësira.
Pretendimi i Komunës për pronësi, duke eskaluar me ndërhyrje të dhunshme në hapësirat e një mediumi, pa mbështetjen ligjore të një vendimi gjykate, ka cenuar lirinë e medias dhe së këndejmi fjalën e lirë.
Gjithashtu, IAP shpreh shqetësimin lidhur me sulmin fizik të para disa ditëve në gazetarin Halil Matoshi, në Prishtinë.
Pengimi i gazetarëve dhe mediumeve në punën e tyre, si këto e raste të tjera, IAP i konsideron si akte të papranueshme dhe të dënueshme në një shoqëri demokratike e të civilizuar.