U MBAJT TRYEZA“MEKANIZMI KOMBËTAR PËR PARANDALIMIN E TORTURËS, SFIDAT DHE MUNDËSITË”

25/06/2012

25 qershor 2012 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), dhe dy organizata të shoqërisë civile, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve kundër Torturës (QKRMT) dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), me mbështetjen e OSBE-së, kanë organizuar Tryezën e Rrumbullakët “Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, sfidat dhe mundësitë”. Kjo Tryezë me karakter informativ, sensibilizues dhe lobues, ka korresponduar me shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në mbështetje të viktimave të torturës. Gjithashtu, kjo Tryezë ka shënuar një vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes IAP-së, QKRMT-së dhe KMLDNJ-ës, si angazhim i përbashkët në kuadër të Fushatës Kombëtare kundër Torturës. Kjo marrëveshje rregullon bashkëpunimin e palëve nënshkruese për mbrojtjen e të drejtave të personave, të parapara në Protokollin Opsional të Konventës kundër Torturës (OPCAT), me qellim krijimin e një Këshilli Drejtues të përbashkët që do të avokojë për krijimin e Mekanizimit Parandalues Kombëtar.
Bazuar në monitorimin që u është bërë stacioneve policore, qendrave të paraburgimit, burgjeve dhe qendrave siç është ajo e shëndetit mental etj, arrihet në përfundim se paraqitet nevoja e përmirësimit të kushteve nëpër burgjet e qendrat e mbajtjes, infrastrukturës, trajtimit, ofrimit të shërbimeve për të ndaluarit etj., por ishte konstatim i përbashkët se Kosova është vend ku nuk ka torturë.
Se“Askush nuk i nënshtrohet torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues” garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe Marrëveshjet dhe Instrumentet ndërkombëtare, përfshirë këtu Konventën kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore , Jonjerëzore dhe Poshtëruese, Protokollin shtesë për zbatimin e kësaj Konvente, si dhe standardet përkatëse Minimale të OKB-së dhe Rregullat Evropiane të Burgjeve.