Avokati i Popullit i shqetësuar për shtrenjtimin për 8.9 % të energjisë elektrike
22 qershor 2012 – Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për të shtrenjtuar për 8.9 % energjinë elektrike në Kosovë ka shqetësuar Avokatin e Popullit, Sami Kurteshi.
Avokati i Popullit konsideron se ky vendim ndikon negativisht në standardin e jetës së qytetarëve, duke e rënduar edhe më tepër gjendjen edhe ashtu të rëndë sociale dhe ekonomike të tyre.
Monopoli të cilin e mban KEK-u në menaxhimin e rrjetit të energjisë elektrike e pamundëson qytetarin të përzgjedh në një konkurrencë të lirë çmimesh e ofruesi shërbimesh. Kualiteti i shërbimeve nuk korrespondon me çmimet që janë, të cilat janë më të larta sesa ato në shtetet me standard shumë më të lartë se Kosova. Gjithashtu, është tërësisht e papranueshme që qytetari të ngarkohet të paguajë në mënyrë retroaktive me çmimin e shtrentjuar të energjisë elektrike.
Avokati i Popullit fton Zyrën e Rregullatorit për Energji të analizojë dhe të marrë parasysh gjendjen ekonomiko sociale në vend dhe të rishqyrtojë edhe njëherë vendimin pë shtrenjtimin e energjisë elektrike.