Zëvendësi i Avokatit të Popullit u takua me kryetarin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme

30/04/2012

30 prill 2012 – Më 24 prill 2012, zëvendësi i Avokatit të Popullit z. Isa Hasani u takua me kryetarin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme z. Sahit Sylejmani. Në këtë takim u diskutua në përgjithësi për çështjet që lidhen me dy institucionet, ndërsa me fokus të veçantë u diskutua për ankesat e qytetarëve kundër Dhomës së Posaçme. Z. Hasani ngrit si shqetësim detyrimin për përkthimin e dokumenteve- parashtresave që i drejtohen Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, edhe në gjuhën angleze sipas Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës.
Z. Hasani theksoi se Kushtetuta është akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës edhe ligjet dhe aktet tjera duhet të jenë në përputhje me atë dhe se për Avokatin e Popullit nuk është i pranueshëm fakti i detyrimit të qytetarëve që t`i drejtohen Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme edhe me shkresa në gjuhën e cila nuk është gjuhë zyrtare në Kosovë.
Edhe z. Sylejmani theksoi se problemin më të madh Gjykata e ka me përkthimet e dokumentacioneve dhe se vonesat në shqyrtimin e lëndëve ndodhin edhe për shkaqe të përkthimit të materialeve. Më tej ai shtoi se personat të cilët e dëshmojnë se janë në asistencë sociale lirohen nga pagesa e përkthimeve. Po ashtu si pengesë në funksionimin normal të Gjykatës z. Sylemani theksoi edhe mungesën e gjykatësve vendor, nga 12 sa parashihet që të ushtrojnë këtë detyrë deri më tani janë emëruar vetëm 7 gjykatës.
Avokati i Popullit e sheh të nevojshme krijimin e shërbimeve të përkthimeve brenda vet Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nëse veç është e domosdoshme që ato materiale të sigurohen edhe në gjuhen angleze duke pasur parasysh përbërjen e Dhomës, por përkthimi i materialeve nuk është e drejtë t`iu vihet në barrë qytetarëve që i drejtohen asaj. Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme duhet t`i ofrohet asistencë financiare për fuqizimin e shërbimeve të përkthimit brenda vet Dhomës së Gjykatës Supreme.