Avokati i Popullit takoi një delegacion të Këshillit të Evropës
25 prill 2012 – Me kërkesën e shefit të Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, në Zyrën Qendrore të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), z. Sami Kurteshi, Avokat i Popullit takoi anëtarët e delegacionit të Këshillit të Evropës të cilët do udhëheqin realizimin e projektit për ngritje të kapaciteteve dhe fuqizimin e mekanizmave për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.
Përfitues kryesor të këtij projekti do të jenë IAP, Zyra për Qeverisje të Mirë dhe disa organizata të shoqërisë civile të cilat punojnë në fushën e të drejtave të njeriut. Qëllimi kryesor i këtij projekti është përmirësimi i zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, puna e mëtutjeshme në Mekanizmin kundër Torturës, zbatimi i kornizës ligjore për të drejtat e njeriut, fushata promovuese për ngritjen e vetëdijes për të drejtat e njeriut etj.
Avokati i Popullit do të jetë anëtar i Komitetit Drejtues për këtë projekt, i cili do të monitorohet edhe nga organizata të tjera ndërkombëtare si OSBE, OHCHR etj.