KOMUNIKATË E AVOKATIT TË POPULLIT PAS VIZITËS NË QYTETIN E MITROVICËS

13/04/2012

13 prill 2012 – Avokati i Popullit Sami Kurteshi me bashkëpunëtorë ka vizituar dje me datë 12 prill 2012 pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, për të parë nga afër gjendjen, pas shpërthimit të datës 8 prill 2012 në banesën e një familje në këtë pjesë të vendit, me ç`rast ka mbetur i vdekur kryefamiljari Selver Haradinaj dhe janë plagosur dy fëmijët e mitur.
Nga biseda me qytetarë të ndryshëm gjatë vizitës në Lagjen e Boshnjakëve dhe Lagjen e Tre Rrokaqiejve, ku edhe ka ndodhur shpërthimi, Avokati i Popullit konstaton se qytetarët e të gjitha nacionaliteteve atje kanë një emërues të përbashkët të shqetësimit të tyre: Pasigurinë e përgjithshme!
Atmosferë e tensionuar, anarki e plotë, njërëz që reflektojnë frikën, frustrimin dhe lodhjen, që shprehin haptas pasigurinë e tyre për jetën, lëvizjen e lirë dhe pronën, janë e përbashkëta e të gjithë qytetarë/eve të kësaj zone që biseduan me Avokatin e Popullit.
Provokimet e vazhdueshme që bëhen nga grupet kriminale, rreziku permanent i përsëritjes së akteve kriminale kundër jetës, si ai i shpërthimit në orët e hershme të së dielës , mbajtja nën tension e gjendjes nga deklarimet dhe veprimet e strukturave paralele janë presion i vazhdueshëm për banorët në këtë pjesë të vendit.
Po ashtu banorët shprehën shqetësimin e tyre edhe për gjendjen e rëndë ekonomike dhe injorimin që institucionet përkatëse ua bëjnë në punësim, në kategorizimin për të përfituar ndihma sociale etj.

Avokati i Popullit poashtu ka takuar edhe kryetarin e komunës së Mitrovicës Avni Kastrati, me të cilin u bisedua lidhur me zhvillimet e fundit dhe gjendjen e përgjithshme të të drejtave të njeriut në pjesën veriore të Mitrovicës, bazuar në informatat dhe këndvështrimin e autoriteteve komunale.
Situata në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës është jashtëzakonisht e tendosur dhe kërkon me urgjencë funksionalizimin e plotë të institucioneve shtetërore. Mbrojtja e jetës, e lëvizjes së lirë dhe pronës, respektimi i ligjit dhe rendit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës është domosdoshmëri dhe kusht për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut për të gjithë qytetarët.
Avokati i Popullit fton Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe gjithë faktorët ndërkombëtarë me fuqi ekzekutive në sferën e sigurisë, rendit dhe të ligjit në Republikën e Kosovës, të bëjnë përpjekje për zbatimin e kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit dhe në këtë mënyrë të bëjnë parandalimin e marrjes së ligjit në duart e veta nga ana e qytetarëve.