REAGIM LIDHUR ME KOMENTET DHE REKOMANDIMET NGA DEBATI PUBLIK “ZBATIMI I LIGJIT KUNDËR DISKRIMINIMIT”(15.12.2011) NË QENDRËN MEDIALE NË ÇAGLLAVICË
Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar përmes adresës elektronike komentet dhe rekomandimet e nxjerra nga debati i organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë lidhur me zbatimin e ligjit kundër diskriminimit.
Gjithashtu, lidhur me rrjedhën e debatit kemi marrë informacion nga përfaqësuesit e IAP-së të cilët ishin pjesëmarrës aty, z. Bogoljub Staletoviq, zëvendësavokat në IAP, dhe znj. Merita Syla, këshilltare ligjore, si edhe kemi ndjekur linkun e web faqes së Qendrës Mediale, për transkriptin nga ky debat.
IAP reagon lidhur me konkluzionet dhe rekomandimet e nxjerra nga ky debat, të cilat, ashtu siç edhe debati të shumtën e kohës, dalin jashtë kontekstit të temës së paracaktuar, duke zhvendosur fokusin e diskutimeve nga zbatueshmëria e Ligjit kundër diskriminimit, në akuza kundër Avokatit të Popullit, të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
Të poshtëshënuara gjeni vërejtjet dhe mospajtimin e IAP-së me një varg kunërthëniesh dhe pasaktësish në konstatimet dhe rekomandimet që keni nxjerrë nga debati në Qendrën Mediale.
Komenti d që ka të bëjë me mënyrën se si është formuar Zyra e Avokatit të Popullit është i pasaktë! Rrjedhën kronologjike të bazës ligjore të krijimit dhe funksionimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, mund ta gjeni në http://www.ombudspersonkosovo.org/new/?id=1,53,53,53,a
Komenti f është i paqartë! Ju nuk keni saktësuar as institucionin, as llojin e numrin e ankesave, të cilave ju referoheni si “një numër i vogël i ankesave të qytetarëve” . Përgjegjësia institucionale bie mbi secilin institucion veç e veç, ashtu siç bie edhe përgjegjësia individuale, prandaj janë emërtimet e institucioneve dhe përgjegjësitë e ndara, bazuar në aktet normative.
Komenti h tërheq vijë të skajshme për nocionin diskriminim dhe pastrim etnik. Kosova e ka të njohur dhe e ka vuajtur pastrimin etnik gjatë periudhës së luftës 1998-1999. Rrethanat e sotme në Kosovë, si një Republikë parlamentare dhe demokratike, nuk japin argument për përdorimin e paralelizmave të tillë.
Komenti k konstaton “Avokati i Popullit nuk punon sa duhet, as në menyrë sasiore, as cilësore”. Në bazë të çfarë indikatorëve e parametrave matës bëhet një konstatim i tillë?! Nëse ky konstatim është ndërtuar mbi akuzat e motivuara politikisht (përfshirë edhe diskutimet nga disa prej panelistëve në debatin tuaj) atëherë kjo e devalvon konstruktivitetin e debatit dhe konluzioneve e rekomandimeve të dala nga debati.
Komenti l që thirret në diskriminim të komunitetit serb, gjithashtu konstaton, por nuk sjell argumente, përveç stereotipeve politike!
Komenti m është krejtësisht i pakuptimtë dhe i pasaktë! Vonesat në përzgjedhjen e zëvendësavokatëve nuk kanë pasur asnjëherë motiv etnik. Ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për Avokatin e Popullit, emërimi i Avokatit të Popullit bëhet nga Kuvendi i Kosovës, ashtu si edhe emërimi i zëvendësavokatëve, ndër të cilët njëri është serb, një nga komunitetet tjera, si dhe një femër. Votimi i pesë zëvendësavokatëve bëhet në grup dhe nuk ka pasur asnjëherë ndonjë kundërshtim lidhur zëvendësavokatin serb apo të minoriteteve të tjera.
Gjithashtu në materialin e bashkangjitur, tre nga gjithsejt shtatë rekomandimet e debatit për Ligjin kundër diskriminimit janë fokusuar tek Avokati i Popullit!
Rekomandimi c është i përgjithësuar dhe nuk sqaron se në ç’kuptim kërkohet më shumë transparencë! Puna e Avokatit të Popullit zhvillohet në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin për Avokatin e Popullit, i cili përveç pjesës së punës e cila bëhet publike përmes raporteve, komunikatave, publikimeve etj, ka edhe përgjegjësinë që lidhet me konfidencialitetin. Transparenca e Avokatit të Popullit përfshin aspektin menaxherial dhe buxhetor, dhe gjithsesi aspektin substancial të punës, deri aty ku nuk preken dhe dëmtohen interesat e palëve që ankohen.
Rekomandimi d del i pakuptimtë dhe jo logjik kur i referoheni në të njëjtën kohë “Ombudsmanit dhe Avokatit popullor”, siç i referoheni pothuajse në gjithë tekstin! Ju pëkujtojmë se bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës ( kapitulli XII) ka një Avokat të Popullit (ky është edhe emërtimi i saktë në gjuhën shqipe, në gjuhën serbe Ombudsman dhe në gjuhën angleze Ombudsperson) dhe pesë zëvendësavokatë, ashtu siç e parasheh Ligji për Avokatin e Popullit.
Veçimi në rekomandim i një grupimi, me ftesën për të intensifikuar bashkëpunimin me të, përbën diskriminim të llojit të vet! Askush s’ka të drejtë të privilegjojë, ashtu siç nuk ka të drejtë të anashkalojë një grupim nga një tjetër.
IAP është i hapur për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallime, për të parandaluar e identifikuar shkeljen e të drejtave të njeriut, si dhe për të promovuar e avancuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Gjithsesi bashkëpunimi në fushën e të drejtave të njeriut është i mirëseardhur dhe i nevojshëm me të gjithë ata që duan të japin kontributin e tyre në fushën e të drejtave të njeriut, pa përpjekje për keqpërdorim politik.
Fare në fund, me keqardhje konstatojmë se asnjë nga komentet dhe rekomandimet nga debati në Qendrën Mediale në Çagllavicë nuk kontribuojnë në punën e Avokatit të Popullit dhe as në zbatimin e Ligjit kundër diskriminimit, për çka është thirrur në debat Institucioni i Avokatit të Popullit.