Avokati i Popullit ishte i përfaqësuar në dëgjimin publik për zbatimin e Ligjit kundër diskriminimit

08/03/2012

8 mars, 2012 – Gazeta “Kosova Sot” e datës 8 mars 2012, në faqen e saj të katërt, sjell shkrimin e gazetarit S. Ahmeti me titull “Avokati i Popullit dhe KMLDNJ-ja injorojnë debatin për diskriminimin”. Titulli dhe raporti i gazetarit theksojnë se në dëgjimin publik në Kuvendin e Kosovës, lidhur me Ligjin kundër Diskriminimit nuk ka marrë pjesë Avokati i Popullit.
Për hir të së vërtetës dhe informimit të saktë, të drejtë dhe korrekt, Institucioni i Avokatit të Popullit ndjehet i detyruar të reagojë, për të demantuar atë që plasohet përmes këtij shkrimi lidhur me praninë e Avokatit të Popullit.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka qenë i përfaqësuar në debatin publik lidhur me Ligjin kundër diskriminimit në Kuvendin e Kosovës nga z. Bogoljub Staletoviq, zëvendësavokat dhe znj. Merita Syla, këshilltare e lartë ligjore. Përmes tyre, gjatë debatit gjithashtu është shprehur edhe qëndrimi i IAP-së lidhur me Ligjin Kundër Diskriminimit. Këtë mund ta vërtetoni edhe në web faqen e Kuvendit të Kosovës, ku gjendet lajmi i datës 7 mars 2012, nga ky dëgjim publik. Mes të tjerash, aty citohet edhe znj. Merita Syla si përfaqësuese e Avokatit të Popullit në këtë takim.