KOMUNIKATË PËR MEDIE

12/02/2012

12 shkurt, 2012 – Avokati i Popullit Sami Kurteshi shpreh keqardhjen për jetët e humbura dhe ngushëllon familjarët dhe të afërmit e viktimave për humbjen e më të dashurve, si dhe shpreh shqetësimin për personat e ngujuar me rastin e tragjedisë në fshatin Restelicë të Dragashit, të shkaktuar nga orteku i borës. Situata e krijuar nga reshjet e mëdha dhe moti i ftohtë i këtyre ditëve kanë krijuar gjendje jo të zakonshme dhe vështirë të përballueshme në shumë pjesë të vendit, veçmas në zonat e thella malore.
Avokati i Popullit vlerëson angazhimin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të institucioneve të tjera dhe të qytetarëve për t’u përballur me këtë gjendje të rëndë.
Qysh në ditët e para kur kanë filluar reshjet, Avokati i Popullit ka kontaktuar me institucionet më të larta në vend, që të vlerësohet nëse duhet të merren masa emergjente apo të jashtëzakonshme, gjë që do të ndikonte në një mobilizim të përgjithshëm institucional dhe të qytetarëve.
Duke marr parasysh kushtet e vështirësuara e gjendjen e rëndë të krijuar këtyre ditëve, Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve më të larta të vendit që të rivlerësojnë situatën e krijuar dhe të ndërmarrin gjithçka është e mundur për të ndihmuar qytetarët .