Avokati i Popullit u prit nga kryetari i Komunës së Prishtinës
9 shkurt 2012 – Avokati i Popullit, Sami Kurteshi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa kanë zhvilluar një takim të përbashkët, në fokus të të cilit ishte gjendja e banorëve në lagjen Fusha e Pajtimit në Prishtinë.
Z. Kurteshi ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me këtë çështje, duke ju referuar ankesave të vazhdueshme, si dhe gjendjes së konstatuar gjatë vizitave që u ka bërë këtyre qytetarëve.
Z. Isa Mustafa i ka sqaruar Avokatit të Popullit punën që ka bërë komuna për të ndihmuar apo strehuar banorët që janë në gjendje të rëndë sociale dhe ka ofruar të dhëna të cilat Drejtoria për Mirëqenie Sociale e Komunës së Prishtinës i disponon lidhur me familjet e vendosura në Fushën e Pajtimit.
Z. Mustafa ra dakord për një takim të përbashkët mes Komunës së Prishtinës dhe banorëve nga kjo lagje, me praninë e përfaqësuesve të IAP-së, në përpjekje për të gjetur zgjidhje të pranueshme, në mënyrë që kampi në Fushën e Pajtimit të mbyllet sa më shpejt që të është e mundur.
Gjithashtu gjatë takimit u bisedua edhe për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.