REKOMANDIMET NGA TRYEZA”ZBATIMI I LIGJIT PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE”

06/02/2012

6 shkurt 2012 -Në Tryezën “Zbatimi i Ligjit për qasje në dokumente publike” e mbajtur më 30 janar 2012, e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), me mbështetjen e OSBE-së, është diskutuar bashkërisht nga përfaqësues të institucioneve publike, shoqëria civile dhe mediat lidhur me identifikimin e sfidave që kanë të bëjnë me Ligjin për qasje në dokumente publike (LQDP).
Nga kjo Tryezë dolën disa rekomandime, zbatimi i të cilave do të jetë shtysë pozitive në zbatimin më të efektshëm të LQDP-së. Këto rekomandime do t’u dërgohen institucioneve e autoriteteve kompetente, vullneti i të cilave është i domosdoshëm për ta bërë LQDP-në të zbatueshëm. Qasja e lirë në dokumente zyrtare e rrit transparencën e institucioneve publike dhe i bën institucionet publike llogaridhënëse para qytetarëve të vendit.

Rekomandimet:

Analizimi i LQDP-së në mënyrë që të identifikohen mangësitë e ligjit dhe të miratohen aktet nënligjore që do të ndihmonin zbatimin e ligjit.

Harmonizimi i ligjeve që ndërlidhen me qasjen në dokumente publike ( Ligji për qasje në dokumente publike, Ligji për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale etj.)

Klasifikimi i dokumenteve dhe hartimi i listave të dokumenteve sipas klasifikimit nëpër secilin institucion publik, për të shmangur arbitraritetin në qasjen apo refuzimin e dokumenteve zyrtare

Caktimi i personave përgjegjës për pranimin e kërkesave për qasje në dokumente publike edhe në ato institucione ku kjo nuk është bërë.

Fushatë informuese për qytetarët lidhur me mundësitë që ofron LQDP.

Trajtimi i koordinuar i kërkesave për qasje në dokumente publike dhe ankesave për mohim apo refuzim të qasjes në dokumente publike me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.