U mbajt Tryeza “ Zbatimi i Ligjit për qasje në dokumente publike”
30 janar 2012- Institucioni i Avokatit të Popullit(IAP) ka organizuar Tryezën e rrumbullakët “Zbatimi i ligjit për qasje në dokumente publike.” Të pranishëm në këtë Tryezë ishin përfaqësues nga institucionet publike që kanë rol të rëndësishëm në zbatimin e këtij ligji: deputetë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përfaqësues të OSBE-së si dhe DFID/PAI. Gjithashtu të ftuar ishin edhe përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare dhe mediave, të cilët në një mënyrë janë promotorë të zbatimit të LQDP-së.
Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi në fjalën e tij mirëseardhëse për të pranishmit tha se qasja në dokumente u jep qytetarëve mundësinë që të jenë pjesëmarrës në jetën publike, si dhe bën që institucionet publike të jenë llogaridhënëse para tyre. “ Rrjedhja e lirë e informacionit është mjet i rëndësishëm për të ndërtuar besimin mes institucioneve dhe qytetareve, për të krijuar transparencë te veprimeve, për të ndikuar gjithashtu në efikasitet dhe efektivitet të administratës publike” tha z. Kurteshi me këtë rast.
Panelistë në këtë Tryezë ishin: z. Sadri Ferati, deputet në Kuvendin e Kosovës, i cili është pjesë e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media , i cili Komision ka bërë dhe monitorimin e Ligjit për qasje në Dokumente Publike; znj Albulena Sylaj Zeqiri, zyrtare përgjegjëse në Zyrën për Komunikim të Zyrës së Kryeministrit, z. Agron Demi nga Instituti GAP, znj. Valdete Osmani nga AGPK, si dhe z. Tafil Rrahmani nga IAP , si institucion ku drejtohen ankesat e qytetarëve pas refuzimit apo mohimit të të drejtës për qasje në dokumente nga institucionet publike.
Identifikimi i sfidave që kanë dalë në zbatimin e këtij ligji dhe rekomandimet që do të avanconin të drejtën e qasjes në dokumente publike u shpërfaqen gjatë diskutimeve nga të pranishmit.
Rekomandimet e dala nga kjo Tryezë do të plasohen në web faqen e IAP-së, si dhe do t’u shpërndahen pjesëmarrësve të Tryezës dhe institucioneve përkatëse.
E drejta për të pasur qasje në informacion dhe dokumente zyrtare është e drejte fundamentale e njeriut, e cila përveç te tjerash ndihmon që qytetarët te arrijnë të njohin e të ushtrojnë edhe të drejtat e tjera që lidhen me jetën e mirëqenien e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë.