KOMUNIKATË LIDHUR ME ARRESTIMET E DJESHME TË ZYRTARËVE TË MINISTRISË SË SHËNDETËSISË
Përpjekjet dhe insistimi për të vendosur rendin dhe ligjin në secilën fushë të jetës dhe luftimi i dukurive negative diktojnë veprime të cilat me gjithë arsyen për t`u ekzekutuar, si dhe detyrimit për t`u bërë publike, kërkojnë edhe profesionalizëm, edhe etikë pune, edhe maturi.
Arrestimet e djeshme të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë e nxjerrja e tyre nga vendi i punës me duar të lidhura me prezencën e kamerave është një lloj linçimi publik, pa e thënë drejtësia fjalën e vet.
Ligjërisht, askush nuk është fajtor, përderisa një gjykatë nuk jep verdiktin e fundit për këtë gjë. Qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë të arrestimeve dhe më pas lirimit të të arrestuarve si të pafajshëm.
Në të tilla rrethana, kur nga arrestimet krijohen spektakle mediale kemi të bëjmë me shkelje të dinjitetit, shkelje të etikës së punës edhe nga mekanizmat që e kryejnë arrestimin, edhe nga mediat si transmetuese të pamjeve.
Avokati i Popullit Sami Kurteshi kërkon me ngulm që rastet për të cilat ekziston dyshimi i bazuar, të trajtohen deri ne fund sipas ligjit për të vënë drejtësinë në vend. Avokati i Popullit shpreh shqetësimin se kjo po ndodh në Kosovë, tashmë disa herë, edhe pse është tërhequr vërejtja përmes komunikimit intern dhe publik, kundër këtyre veprimeve kundërligjore.