Tryezë e rrumbullakët me temën “Dëshmimi i përvojës së punës”
20 dhjetor 2011 – Avokati i Popullit, gjatë punës së tij ka vërejtur vështirësi përkitazi me dëshmimin e përvojës së punës të një numri të konsiderueshëm të punësuarve, sidomos gjatë periudhës 1990-1999, kur shumica e punëtorëve shqiptarë ishin larguar nga puna me masa arbitrare, pa bazë ligjore ose me ligje diskriminuese, si pasojë e ndërmarrjes së masave të dhunshme. Pjesa dërmuese e këtyre ndërmarrjeve tashmë nuk ekzistojnë, e kjo paraqet vështirësi të shumta, e shpeshherë pamundësi, që punëtorët, ta dokumentojnë përvojën e punës me dokumente faktike.
Avokati i Popullit këtë e konsideron shkelje e të drejtave të njeriut. Për të diskutuar lidhur me këtë çështje IAP ka organizuar Tryezën e rrumbullakët me temën “Dëshmimi i përvojës së punës “, në të cilën ishin të ftuar faktorët relevantë, me të cilët u bisedua bashkërisht lidhur me gjetjen e zgjidhjes për shqetësimin në fjalë, që do të kapërcente vështirësitë dhe shkeljet në këtë aspekt.
Në këtë Tryezë, ishin të pranishëm: Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, z. Mehdi Geci, përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjegjësisht nga Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës dhe nga Departamenti i Administratës Pensionale, përfaqësues nga Ministria e Administratës Publike, si dhe z. Ndue Kalaj nga Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës e z. Mazllum Baraliu, i ftuar në cilësinë e profesorit dhe njohësit të çështjeve juridike.
Nga kjo Tryezë u nxorën konkluzione dhe rekomandime, të cilat do t’u përcillen më tutje palëve vendimmarrëse.