KOMUNIKATË PËR MEDIA – AVOKATI I POPULLIT SHPREH SHQETËSIMIN PËR NDOTJEN E UJËRAVE

06/12/2011

6 dhjetor 2011 – Bazuar nga raportet, të cilat Institucioni i Avokatit të Popullit i merr nga bashkëpunëtorët që ka nëpër zyrat e veta rajonale, si dhe nga kronikat e sjella përmes mediave, z. Sami Kurteshi, Avokat i Popullit shpreh shqetësimin e tij lidhur me ndotjen e ujërave në Kosovë, që për pasojë, mes tjerash, ka edhe ngordhjen e peshqve.

Në korrik të këtij viti, përfaqësuesi i zyrës së IAP-së në Gjilan, pas marrjes së informatës për peshqit e ngordhur në lumin Morava, ka vizituar fshatrat përgjatë të cilave kalon ky lumë (Uglar, Pogragjë dhe Dobërçan) me ç’rast është vërejtur një sasi e konsiderueshëm e peshqve të ngordhur. Ndërkaq ditë më parë një gjë e tillë është vërejtur edhe në basenin e lumit Drini i Bardhë, në Malësi të Vogël, në afërsi të Klinës dhe në lumin Morava, në afërsi të Gjilanit.
Pamjet nga lumenjtë e sipërpërmendur pasqyrojnë ndikimin e drejtpërdrejtë të veprimeve të pakontrolluara, të cilat ndikojnë në kualitetin e ekosistemeve ujore.
Duke vlerësuar situatën mjaft alarmante, në këtë aspekt, Avokati i Popullit, fton të gjithë mekanizmat përgjegjës, veçmas inspektoratin e ujërave, që funksionon në kuadër të MMPH-së, si dhe strukturat udhëheqëse nëpër komuna, që të ndërmarrin të gjitha masat për pengimin e një ndotjeje të tillë, si dhe për parandalimin e hedhjes së substancave dhe mbeturinave, të cilat për shkak të vetive fizike, kimike e biologjike mund të rrezikojnë shëndetin publik dhe organizmat ujorë.
Gjithashtu, Avokati i Popullit kërkon bashkëpunimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe gjykatave, në mënyrë që të ndërmerren të gjitha masat që të gjenden shkaktarët e ndotjes dhe ata të përgjigjen financiarisht dhe penalisht për të gjitha shpenzimet që dalin, përfshirë edhe shpenzimet për parandalimin e ndotjes, masat kontrolluese të nevojshme, shpenzimet administrative, shpenzimet riparuese apo kompensuese, në pajtim me ligjin në fuqi.