AVOKATI I POPULLIT VIZITOI ROMËT, ASHKALITË DHE EGJIPTASIT QË JETOJNË NË FUSHË KOSOVË
23 nentor 2011 – Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi ka vizituar sot komunitetet: romë, ashkali dhe egjiptas që jetojnë në Fushë Kosovë. Në një takim të veçantë në Sallën për Integrime “Fidan Lahu” pjesëtarët e këtyre komuniteteve e kanë njoftuar nga afër Avokatin e Popullit me hallet dhe shqetësimet që kanë, qofshin ato të përbashkëta për tri komunitetet, apo shqetësime që mund t’i përkasin vetëm njërit komunitet.
Qytetarët e tre komuniteteve të pranishëm në këtë takim si dhe menaxherët e dy OJQ-ve “Balkan Sunflowers” dhe “Health for All” që janë shumë aktive, kanë shpërfaqur vështirësitë që ata kanë. Shqetësimi i cili u përmend nga të gjithë folësit ishte papunësia e madhe tek pjesëtarët e këtyre tre komuniteteve dhe si pasojë e kësaj edhe kushtet e vështira të jetës.
Gjithashtu u përmend fakti se ata nuk ndjehen të diskriminuar sa i përket kujdesit shëndetësor, as të lënë padore dhe as të diskriminuar nga ana e mjekëve, por në anën tjetër nuk kanë mundësi të blejnë barnat që u përshkruhen dhe as të sigurojnë tretmanin e mëpastajmë mjekësor që nevojitet.
Po ashtu pjesëtarët e komunitetit egjiptas dhe ashkali shprehën kërkesën e tyre për të pasur mundësinë e emisioneve te rregullta televizive dedikuar këtyre dy komuniteteve, ku ata do të mund të shprehnin identitetin dhe kulturën e tyre.
Sa i përket shkollimit ata u shprehën se gjendja është më e mirë në krahasim me vite më parë , e gjithashtu thanë se nuk kanë probleme me lirinë e lëvizjes.
Avokati i Popullit u tha se shqetësimet e tyre do të jenë pjesë e raporteve që u adresohen institucioneve mbi gjendjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përpjekjet e përbashkëta që Kosova vërtetë të jetë vend ku të gjithë qytetarët e saj të ndjehen dhe të jenë të barabartë.
Pas takimit, Avokati i Popullit ka vizituar Lagjen 28 edhe Lagjen 29 në Fushë Kosovë, ku jetojnë pjestarë të komuniteteve: romë, ashkali dhe egjiptas.