KONKLUZIONET DHE REKOMANDIMET NGA TRYEZA “AVOKATI I POPULLIT-TË DREJTAT E NJERIUT- MEDIAT”

09/11/2011

Nga Tryeza e rrumbullakët me temën “AVOKATI I POPULLIT-TË DREJTAT E NJERIUT- MEDIAT”, e mbajtur më 1 nëntor 2011, në Prishtinë, e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) u trajtua bashkëpunimi mes IAP-së dhe mediave. Nga kjo Tryezë u nxorën një varg konkluzionesh dhe rekomandimesh, të cilat do të shërbejnë për të ndërtuar një strategji dhe plan komunikimi, në funksion të përmbushjes së misionit të IAP-së, në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

KONKLUZIONE:
• Ka munguar bashkëpunimi i afërt mes Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) dhe mediave,
• Promovimi i punës së Avokatit të Popullit ka qenë i mangët,
• Mungesa e takimeve debatuese me mediat ka qenë evidente,
• Mediave nuk u janë ofruar raste që do të mund të bëheshin publike,
• Nuk janë shfrytëzuar mediat për të bërë presion publik për raste të ndryshme,
• Informacionet mbi punën dhe aktivitetet e AP-së kanë qenë të pamjaftueshme
• Imazhi i deritashëm i IAP-së në media ka qenë më tepër imazhi i një viktime sesa i një institucioni të mbrojtjes së viktimave,
• Ankesat e vazhdueshme për moslejim të qasjes në dokumente publike nëpër institucione, nuk formalizohen me ankesa në formë të shkruar në IAP.
REKOMANDIME:
• Të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë mes AP-së dhe mediave,
• Të punohet më shumë për promovimin e punës së IAP-së,
• Të vazhdohet me takime të këtilla, që do të ndikonin në eliminimin e pengesave eventuale në bashkëpunimin e ndërsjellë,
• Mediat të kontribuojnë në zbatimin rekomandimeve të AP-së,
• AP në vazhdimësi të prezantojë punën dhe angazhimin e tij në media,
• AP të publikojë raste për zgjidhjen e të cilave do të ndikonte edhe presioni medial,
• AP të plasojë në media raste të zgjidhura pozitivisht për të inkurajuar në këtë drejtim,
• AP të mos paraqitet si viktimë, por të mbrojë viktimat,
• AP të krijojë raporte të veçanta me mediat,
• AP duhet të jetë më afër qytetarëve,
• Mediat dhe AP të jenë partnerë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriu,
• AP dhe mediat të fuqizojnë zërin e atyre që janë të pafuqishëm,
• Mediat të formalizojnë me shkrim tek AP ankesat për moslejimin në qasje të dokumenteve publike,
• Webfaqja e IAP-së të freskohet vazhdimisht me të dhëna mbi punën dhe rastet që trajtohen,
• Të rritet angazhimi i Zyrës për media të IAP-së.