Avokati i Popullit u takua me zyrtarë nga Zyra e OHCHR-së, në Prishtinë
Bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), si dhe fushat e veçanta ku do të mund të intensifikohej ky bashkëpunim, ishin temë e takimit të Avokatit të Popullit, z. Sami Kurteshi me zyrtarët e Zyrës së OHCHR-së, në Prishtinë: znj. Theodora Krumova, z. Nedim Osmanagic, znj. Arbena Kuriu dhe z. Agon Vrenezi.
Avokati i Popullit, pasi shprehu falënderimin e tij për mbështetjen, që IAP ka nga OHCHR, i informoi ata për angazhimet, në vazhdimësi, të institucionit, të cilin e udhëheq, mbi vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet aktualisht.
Gjithashtu, z. Kurteshi, i njoftoi ata edhe për emërimin e pesë zëvendësavokatëve dhe riorganizimin e brendshëm të IAP-së, duke ndarë fushat e angazhimit për secilin nga zëvendësavokatët.
Ndërkaq, zyrtarët OHCHR-së, u interesuan për segmente të caktuara të punës së Institucionit të Avokatit të Popullit, ku ata do të mund të ofronin ndihmën e tyre në fushat e nevojshme për mbështetje, duke shprehur gatishmërinë që edhe më tutje të ofrojnë mbështetjen e tyre për IAP-në.