U MBAJT TRYEZA „AVOKATI I POPULLIT-TË DREJTAT E NJERIUT – MEDIAT“
1 nëntor 2011 – Nën organizimin e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), në Prishtinë, është mbajtur Tryeza e rrumbullakët me temën “AVOKATI I POPULLIT-TË DREJTAT E NJERIUT- MEDIAT”, si një diskutim i përbashkët mes përfaqësuesve të mediave në Kosovë dhe Avokatit të Popullit, lidhur me të drejtat dhe liritë e njeriut, hapësirën që i jepet këtij dimensioni në media dhe bashkëpunimin reciprok.
Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, në cilësinë e nikoqirit të kësaj Tryeze u uroi mirëseradhje mediave të pranishme dhe në fjalën e tij shtroi aspekte të ndryshme nga misioni dhe roli qe ka Avokati i Popullit .Ai mes tjerash tha se AP dhe mediat nuk janë konkurrentë, por janë komplementarë dhe e plotësojnë njëri tjetrin . „AP dhe mediat nuk janë kundërshtarë, por më shumë janë partnerë në përmbushjen e misioneve të tyre, natyrisht duke e respektuar punën e ndërsjellë“ ka thënë në fjalën e tij z. Kurteshi.
Në këtë Tryezë, e cila është veç fillimi i një cikli Tryezash që IAP ka planifikuar t’i ketë në vazhdimësi, kontribuan si panelistë: z. Donat Syla (RTK), Skënder Berisha(Newstv Kosova), Anamari Repic(RTK) dhe Fadil Bajraktari(Kosovapress), të cilët në fjalët e tyre trajuan bashkëpunimin mes AP dhe mediave, dhe veçuan rrafshe të veçanta të të drejtave të njeriut, të cilat do të mund të ishin tema në të cilat mediat do të mund të luanin rol të madh. Gjithashtu, me diksutimet e tyre, në këtë Tryezë koontribuan në mënyrë të veçantë edhe Jeta Xharra (BIRN) e Bajrush Morina(Bota Sot).
Në mes tjerash në këtë Tryezë u tha se është e nevojshme të ketë edhe më tutje takime të tilla me mediat, për të intensifikuar bashkëpunimin AP- Media, i cili deri tani ka lënë për të dëshiruar. Kjo ka lënë hapësirë që shpesh herë raportime të ndryshme nga ana e Avokatit të Popullit lidhur me të drejtat e liritë e njeriut të mbeten të pambuluara medialisht dhe gjithashtu të pa përfshira në kronikat e ngjarjeve që transmetohen përmes mas-mediumeve.Kjo do të ndikonte që të fuqizohet zëri i atyre që janë të pafuqishëm, duke u trajtuar rastet e tilla edhe publikisht. Po ashtu u kërkua prani më e madhe e AP në media dhe angazhim më aktiv i Zyrës për Media të AP-së në të ardhmen.
Në këtë Tryezë u bë edhe prezantimi i pesë zëvendës avokatëve të emëruar para pak ditësh nga Kuvendi i Kosovës.
Nga bashkëbisedimi në këtë Tryezë u nxorën konkluzione dhe rekomandime, të cilat do të shërbejnë për të përmirësuar dhe për të çuar përpara kominikimin AP dhe media në vazhdimësi.