Tryeza me temën” Bashkëpunimi ndërinstitucional në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut”

10/10/2011

10.10.2011 – Zyra Rajonale e Institucionit të Avokatit të Popullit ( IAP) në Mitrovicë, me mbështetjen e OSBE-së në Kosovë, ka mbledhur në një tryezë të përbashkët koordinatorët e njësive për të drejtat e njeriut në regjionin e Mitrovicës, zyrtarë nga zyrat për komunikim të institucioneve të nivelit komunal dhe përfaqësuesit e OJQ-ve.
Tryeza me temën: “Bashkëpunimi ndërinstitucional në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut” kishte për qëllim diskutimin mbi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve në rrafshin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut si dhe mënyrën e shkëmbimit të informatave dhe përvojave që institucionet kanë në këtë aspekt. Gjithashtu u bisedua edhe për raste të veçanta që janë trajtuar në komunën e Mitrovicës dhe në komunat tjera në këtë regjion, si dhe u paraqitën raste që kërkojnë trajtim dhe ndërhyrjen e Avokatit të Popullit.

Në këtë tryezë u bë edhe një prezantim i shkurtër i Raportit Vjetor 2010, i cili përveç njoftimit me gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në Kosovë, ofron edhe rekomandime për institucionet publike në Kosovë, përfshirë këtu dhe institucionet e nivelit lokal.

Kjo tryezë është zhvilluar në kuadër të fushatës AVOKATI I POULLIT NJË HAP MË AFËR QYTETARIT, e cila ka për qëllim afrimin me qytetarët, si dhe forcimin e bashkëpunimit të IAP-së me institucionet lokale në Kosovë, në ofrimin e shërbimeve për qytetarët që kanë nevojë.
Gjatë javës tryeza të tilla do të mbahen edhe në Prizren, Gjilan dhe Graçanicë.