REAGIM LIDHUR ME VRASJEN E DREJTORIT TË DREJTORATIT PËR ARSIM NË KOMUNËN E PRISHTINËS
3 tetor, 2011 – Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi është jashtëzakonisht i shqetësuar lidhur me rastin e vrasjes së drejtorit të Drejtoratit për Arsim në Komunën e Prishtinës, z. Remzi Salihu. Ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti i vrasjes së tij në vend të punës.
Ky rast dhe raste të tjera që kanë ndodhur kohëve të fundit, siç ishin vrasjet e të rinjve në Pejë, njëra para dy muajsh e tjetra para dy javësh, vrasja e para dhjetë ditëve në Prishtinë, rasti i vrasjes dhe plagosjes së babës me djalin e tij, ditën e shtunë në Xërxë, janë tregues të një gjendje të brishtë të sigurisë publike në vend.
Vrasjet e dhuna po kalojnë gradualisht madje edhe në ambiente shkollore apo vendet e punës , që do të duhej të ofronin siguri maksimale për jetën dhe aktivitetet e përditshme. Mënyra e tillë e zgjidhjes së konflikteve tregon se sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë në vend po dështon në mbrojtjen e jetës së qytetarit.
Identifikimi i fajtorëve dhe vënia e tyre para organeve të drejtësisë është e nevojshme që të bëhet sa më shpejt. Gjithashtu është veprim i domosdoshëm për të ofruar parandalimin e akteve të tilla kriminale dhe për të ndikuar në rritjen e sigurisë së qytetarëve të vendit. Kjo duhet të jetë prioritet i organeve të rendit dhe institucioneve kompetente të drejtësisë në Kosovë.