AVOKATI I POPULLIT PREZANTOI PARA MEDIAVE RAPORTIN VJETOR 2010

02/08/2011

2 gusht, 2011 – Në objektin e Institucionit të Avokatit të Popullit para gazetarëve të mediumeve të ndryshme u bë prezantimi i Raportit Vjetor 2010, i cili tashmë i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës. Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi ofroi pasqyrën e përgjithshme të këtij Raporti, i cili paraqet gjendjen e të drejtave të njeriut, por edhe pasqyrën e angazhimit të Avokatit të Popullit për mbrojtjen e drejtave dhe lirive të njeriut nga institucionet publike.
Raporti i dhjetë vjetor i Avokatit të Popullit është i strukturuar sipas parimeve dhe kritereve, jo vetëm përmbajtjesore, por edhe formale . Në të përfshihen të gjitha hallkat vepruese të punës njëvjeçare të Avokatit të Popullit: mbrojtja, mbikëqyrja dhe promovimi i të drejtave dhe lirive të njeriut. Raporti është i hartuar si një tërësi e përbërë nga tri pjesë.

Pjesa e parë përfshin gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, e cila në raport është paraqitur në përputhshmëri me përmbajtjen e Kapitullit të dytë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Pjesa e dytë ka të përmbledhur veprimtarinë e përditshme në Institucionin e Avokatit të Popullit e deri te shërbimet mbështetëse profesionale dhe teknike, si elemente qenësore për mbarëvajtjen e punëve brenda institucionit, përfshirë dhe statistika të ndryshme.

Ndërkaq në pjesën e tretë është përmbledhur një pasqyrë mbështetëse e strukturës së raportit, ku janë përfshirë dokumente të ndryshme që ilustrojnë punën e Avokatit të Popullit si dhe baza ligjore e funksionimit dhe kompetencat e këtij institucioni.

Konferenca për shtyp ishte e hapur për pyetjet e gazetarëve, jo vetëm rreth Raportit vjetor 2010, por edhe për qëndrimin e Avokatit të Popullit lidhur me zhvillimet e fundit në vend, si dhe problemet që Avokati i Popullit aktualisht i ka lidhur me akomodimin dhe sigurimin e kushteve për punë.