DEKLARATË E AVOKATIT TË POPULLIT

28/07/2011

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për funksionalizimin e plotë të institucioneve shtetërore është një veprim që përkon me kërkesën e vazhdueshme për vendosjen dhe respektimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit, si një parakusht për gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Respektimi i të drejtave të njeriut është i pandashëm nga zbatimi i ligjshmërisë për mbrojtjen e jetës, pronës dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Avokati i Popullit shpreh keqardhjen e thellë për vrasjen e policit Enver Zymberi e plagosjen e disa të tjerëve dhe kërkon me këmbëngulje që vrasësit dhe të gjithë personat e tjerë të cilët përdorin dhunë të pajustifikueshme apo akte kriminale për arritjen e çfarëdo qëllimi, të vihen para drejtësisë.

Gjithashtu, është i papranueshëm pengimi i gazetarëve në punë dhe përdorimi i dhunës kundrejt tyre. Askush nuk ka të drejtë të pengojë shpërndarjen e informacionit nëpërmjet mediave. Po ashtu apelojmë te të gjitha mediat të përcjellin informacionin e saktë, të drejtë dhe të përdorin gjuhë të matur e jo nxitëse dhe provokuese.

Avokati i Popullit i rekomandon Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithë faktorëve ndërkombëtarë me fuqi ekzekutive në Republikën Kosovës, të vazhdojnë përpjekjet e tyre për zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, në gjithë territorin e vendit. Përdorimi forcës, të bëhet vetëm në rastet kur është e domosdoshme, sipas parimit të përpjesëtueshmërisë dhe si qëllim sipëror të ketë sigurimin e jetës, pronës dhe të drejtave themelore të njeriut garantuara me Kushtetutë dhe ligje.

Raportimi i vazhdueshëm nga ana e institucioneve shtetërore mbi zhvillimet në vend, do të sigurojë transparencën e veprimeve, e së këndejmi përceptimin dhe reagimin e drejtë të qytetarëve dhe faktorëve relevantë, vendorë e ndërkombëtarë.