AVOKATI I POPULLIT TAKOI ANËTARËT E KOMISIONIT PARLAMENTAR PËR INTEGRIME EVROPIANE

25/07/2011

25.07.2011 – Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi priti sot anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, znj. Vjosa Osmani, znj. Blerta Deliu Kodra, znj. Alma Lama dhe z. Albert Kinolli.

Vërejtjet e dala nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2010 lidhur me Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) ishin temë e këtij takimi, i cili u mirëprit nga Avokati i Popullit, i cili në këtë periudhë po ballafaqohet përveç tjerash edhe me vështirësitë e akomodimit të institucionit të cilin e udhëheq.

Avokati i Popullit ka theksuar faktin se Ligji për Avokatin e Popullit shprehimisht obligon që IAP-së t’i sigurohen hapësira dhe pajisje për punë, në mënyrë që të jetë në gjendje të përmbushë kompetencat dhe përgjegjësitë të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj . Gjithashtu, ai ka përmendur dhe nevojën për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Avokatin e Popullit, përfshirë këtu edhe imunitetin funksional të bashkëpunëtorëve profesional, si dhe aspektin financiar, që është një nga elementet qenësore që mundëson pavarësinë institucionale.

Duke e konsideruar si Institucion i cili e meriton vëmendjen dhe seriozitetin e parlamentarëve dhe mekanizmave të tjerë institucional, anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane u interesuan për çështjet në të cilat ata në mënyrë të veçantë do të mund të ndikonin, në mënyrë që puna e Avokatit të Popullit të kryhet ashtu si e parasheh Ligji dhe premtuan se çështjet e ngritura në këtë takim do të përcillen më tutje tek anëtarët tjerë të Komisionit dhe kolegët e tyre deputetë, në mënyrë që të bëhet ç’ është e mundur që Avokati i Popullit të ushtrojë detyrën pa u cenuar pavarësia institucionale e tij.

Takimi me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, ashtu si edhe takimi në fund të muajit të kaluar me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media është vlerësuar si shumë konstruktiv dhe shenjë e mirë në drejtim të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve të vendit për të përmbushur obligimet e tyre ligjore dhe kushtetuese, në shërbim të qytetarëve të vendit.