REAGIM

08/07/2011

Në deklarimin e z. Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës se Gjilanit në shkrimin “NGUFATET AVOKATI I POPULLIT” në ZËRI, datë 8 korrik, 2011 ( fq. 9 )

Avokati i Popullit, me datë 17 qershor të këtij viti i ka nisur Kuvendit të Republikës së Kosovës një Raport mbi pengesat në përmbushjen e misionit kushtetues të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) si pasojë e cenimit të pavarësisë së tij.

Përkundër asaj se tashmë pothuajse u bë një muaj nga dërgimi i letrës, nuk ka pasur asnjë përgjigje apo reagim nga ana e Institucioneve përgjegjëse të vendit lidhur me çështjet e ngritura në këtë Raport. Gazeta ZËRI (datë 8 korrik, 2011) ka sjellë për publikun në mënyrë korrekte shqetësimin drejtuar institucioneve të vendit lidhur me funksionimin e IAP-së si kategori kushtetuese e si institucion i pavarur.

Mirëpo, është i pavërtetë deklarimi i z. Qemajl Mustafa për ZERI-in, se është e pabazë ajo që është thënë në raport lidhur me presionin që organet komunale të Gjilanit, përfshirë dhe kryetarin e komunës ( dmth vet z. Q. Mustafa), janë duke bërë presion për të larguar zyrën regjionale të IAP-së nga ndërtesa publike.

Z. Qemajl Mustafa, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjilanit, i ka drejtuar zyrës së IAP-së në këtë qytet kërkesën për lirimin e Zyrës, me datë 10.01.2011, përmes së cilës kërkohet që të lirohet njëra nga dy zyrat ( kërkohet që lirimi i Zyrës të bëhet po atë ditë) duke vazhduar më tutje në letrën – kërkesë të tij ( citojmë): “ Në të kundërtën do të kalonim në një komunikim tepër strikt institucional dhe marrëdhëniet tona do ti përcaktonin vetëm normat ligjore (nuk jemi të sigurt nëse diku në ndonjë ligj thuhet se Komuna është e obliguar që të gjejë hapësirë për Ombudspersonin) “ ( përfundim citati nga letra e z. Mustafa drejtuar Zyrës së IAP-së në Gjilan)
Me këtë rast, z. Mustafa ka harruar se Ombudspersoni-t bazuar ne Ligjin e Avokatit të Popullit i sigurohen objekte të duhura për punë dhe pajisje të tjera. Mungesa e hapësirës për punë dhe të pajisjeve të nevojshme, ndikon drejtpërdrejtë në funksionimin dhe realizimin e misionit të Avokatit të Popullit të përcaktuar me Kushtetutë dhe me Ligj.