AVOKATI I POPULLIT VIZITOI BANORËT QË JETOJNË NË KONTEJNERË NË FUSHËN E PAJTIMIT NË PRISHTINË
8 korrik, 2011 – Duke u ballafaquar me mospërfilljen e zyrtarëve kompetentë nëpër dyert ku kanë trokitur, banorë të Fushës së Pajtimit në Prishtinë, i janë
8 korrik, 2011 – Duke u ballafaquar me mospërfilljen e zyrtarëve kompetentë nëpër dyert ku kanë trokitur, banorë të Fushës së Pajtimit në Prishtinë, i janë drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit, si një derë e hapur për qytetarët e Republikës së Kosovës, me kërkesën që të bëjë ç’ është e mundur që shteti dhe shoqëria e këtij vendi të mos injorojnë rrethanat e vështira të jetës së tyre.
Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot Fushën e Pajtimit, ku në kontejner janë të vendosura 26 familje, shumica prej të cilave, tashmë prej disa vitesh. Gjendje e mjerueshme e kushteve të jetës! – është konstatimi i parë që secili e krijon në përballje me ambientin që takon. Banorët u takojnë të gjitha moshave e përballen dhimbshëm me realitetin që i rrethon.
Jo shumë kohë më parë, komuna e Prishtinës ka bërë ndarjen e disa banesave për raste sociale dhe në mesin atyre që aplikuan ishin edhe familjet e vendosura në kontejnerët pothuajse të shkatërruar të Fushës së Pajtimit. 11 familjeve u janë ndarë banesa, mirëpo familjet tjera janë ankuar se nuk janë respektuar kriteret e përzgjedhjes së familjeve që do të jenë përfituese.
Për ta bërë edhe më të rëndë gjendjen, Korporata Energjetike e Kosovës ( KEK) ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për këto familje. Temperaturat e larta e mungesa e shpeshtë e ujit të pijes e bëjnë edhe më shqetësuese gjendjen e njerëzve që jetojnë aty, shumë prej të cilëve gjithashtu kanë probleme shëndetësore, të cilat rëndohen edhe më shumë në rrethanat e kushtet në të cilat ata jetojnë.
Kësaj gjendjeje i jep shqetësim të veçantë mosinteresimi i institucioneve kompetente për të ofruar kujdesin e nevojshëm dhe strehimin adekuat. Janë dy rrafshe në të cilat Avokati i Popullit do të shqyrtojë rastin e banorëve të Fushës së Pajtimit: aspekti ligjor dhe respektimi i kritereve në përzgjedhjen e familjeve për banesat e ndara nga Komuna e Prishtinës, si dhe gjendja e përgjithshme e të gjithë banorëve në këtë vendbanim nga prizmi i kushteve elementare për një jetë normale.
Banorët e Fushës së Pajtimit kanë trokitur në Institucionet shtetërore dhe në ndërgjegjen e shoqërisë së këtij vendi. Ata janë pjesë e përditshmërisë sonë, por kushtet e jetës së tyre janë nën nivelin të cilin vendi ynë dhe shoqëria jonë mund t’ia lejojnë vetvetes. Është radha e ndërgjegjes njerëzore të dëshmojë se është ende pjesë e arsyetimeve dhe vendimeve që shteti ynë ndërmerr.