REAGIM NË SHKRIMIN E KOHËS DITORE TË DATËS 17 QERSHOR, 2011

20/06/2011

Prishtinë, 20 qershor, 2011 – Me qëllim të sqarimit të publikut dhe me qëllim të zbardhjes së të vërtetës, Institucioni i Avokatit të Popullit reagon ndaj shkrimit të gazetarit Ganimet Klaiqi, të botuar në gazetën e përditshme Koha Ditore, të datës 17 qershor, 2011.

Është e vërtetë se Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar dy kërkesa (në dy raste të ndryshme), nga qytetarë të komunës së Prishtinës, për të përcjellë në Gjykatën Kushtetuese Rregulloren për Legalizimin e Ndërtimeve pa Leje, për shqyrtimin kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë (njëra nga këto kërkesa është ajo e Ejup Bajramit kundër Kuvendit Komunal në Prishtinë, e regjistruar në Institucionin e Avokatit të Popullit si Ankesa nr. 17/2011).

Të dyja kërkesat janë refuzuar si të papranueshme, mbi bazën e njëjtë, mos shfrytëzim të mjeteve juridike (vendimi për papranueshmëri i datës 19 prill, 2011 për z. Ejup Bajrami).

Më 16 qershor 2011, z. Ejup Bjarami nga Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinës, e ka përsëritur kërkesën e njëjtë, duke theksuar se ai ka vepruar në bazë të udhëzimeve të Avokatit të Popullit në vendimin për papranueshmëri, por se nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal!

Me këtë rast, sqarojmë lexuesit tuaj dhe publikun e gjerë, se as Avokati i Popullit, as ndonjëri nga këshilltarët ligjorë nuk kanë dhënë ndonjëherë premtime se Rregullorja në fjalë do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Avokati i Popullit shqyrton me kujdes çdo ankesë apo kërkesë të qytetarëve të Kosovës dhe nëse evidenton shkelje ato do t`i adresojë siç duhet, por se nuk ka vepruar dhe nuk do të veprojë mbi bazën e premtimeve apo përgjigjeve të menjëhershme të llojit “ lënda do të dërgohet në organin më të lartë të ndarjes së drejtësisë”, pa u analizuar çdo detaj i ankesës. Analiza dhe trajtimi i rasteve me vëmendje dhe kujdes të madh është parim i punës së Avokatit të Popullit. Në të njëjtën mënyrë është duke e analizuar rastin në fjalë dhe ankuesit do të marrin përgjigje nga Institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me veprimet që do të ndërmarrë.

Gazetari i gazetës Koha Ditore, z. Ganimet Klaiqi do të duhej të kërkonte informacione edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit, sepse si ka dalë shkrimi paraqet informacion të njëanshëm dhe shtrembëron të vërtetën.

Avokati i Popullit mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe është në shërbim të tyre.