AVOKATI I POPULLIT, Z. SAMI KURTESHI, U TAKUA ME KOMISARIN E SHËRBIMIT KORREKTUES TË KOSOVËS, Z. RESMI HOXHA

07/03/2011

Më 7 mars 2011, Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, priti në një takim pune, komisarin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Resmi Hoxha, me ç’rast biseduan për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë, që mund t’i ofrojnë njëri-tjetrit institucione, të cilat i udhëheqin ata.
Në këtë takim z. Kurteshi, e njoftoi z. Hoxha për angazhimet e Institucionit të Avokatit të Popullit, lidhur me mbikëqyrjen dhe respektimin e të drejtave të njeriu, dhe zbatimin e ligjit, nevojën e bashkëpunimit, qasjen e papenguar në dokumente zyrtare etj. Duke e ngritur çështjen e qasjes në dokumente zyrtare, z. Kurteshi, përmendi rastet e fundit, ku përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit, kanë hasur në pengesa të ndryshme, sidomos në burgun e Mitrovicë dhe në qendrën korrektuese në Gjilan.
Z. Kurteshi dhe z. Hoxha u pajtuam që qasjes në dokumente zyrtare duhet kushtuar vëmendje më e madhe, pasi nuk është e definuar saktë se çka nënkupton qasja, në rastet e caktuar, vetëm shikimin e dokumentacionit apo edhe posedimin e kopjes së tij. Ata, po kështu u pajtuan që të organizohet një trajnim, ku do të qartësoheshin veprimet që kanë të bëjnë me rolin e zyrtarëve ligjorë të Institucionit të Avokatit të Popullit, lidhur me qasjen në dokumente zyrtare, kur ajo kërkohet nga institucioni. Po kështu në takim u shtrua edhe nevoja e bashkëpunimit të ndërsjellë edhe për rastet e shtetasve të Republikës së Kosovës në burgjet e Serbisë dhe vendeve të tjera që janë krijuar me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ndërkaq, z. Hoxha e përmendi edhe dekretin për falje për të burgosurit, të shpallur nga ish ushtruesi i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi, me rastin te Ditës së Republikës, më 17 shkurt 2011, duke e theksuar edhe prezencën e përfaqësuesit të Institucionit të Avokatit të Popullit në Komisionin për falje, duke e çmuar lart punë e këtij komisioni.

Në fund të takimit bashkëbiseduesit u pajtuan që, meqë deri tash nuk ka munguar bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve, një bashkëpunim i tillë, i cili ka për synim kryesor mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të jetë i vazhdueshëm.