AVOKATI I POPULLIT, Z. SAMI KURTESHI, U TAKUA ME DREJTORIN E POLICISË SË KOSOVËS, Z. RESHAT MALIQI
Më 3 mars 2011, Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, priti në një takim pune drejtorin e Policisë së Kosovës, z. Reshat Maliqin, me ç’rast u diskutua çështja e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të cilat i udhëheqin ata
Gjatë këtij takimi, z. Maliqi, e njoftoi z. Kurteshi për të arriturat dhe angazhimin e Policisë së Kosovës, në drejtim të ofrimit të sigurisë së qytetarëve, si dhe për kompetencat shtesë, të cilat kohëve të fundit i janë bartur Policisë së Kosovës, si në kontrollin e kufijve, në përkujdesjen për objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare etj
Z. Maliqi, foli edhe për bashkëpunim me policinë vendeve të rajonit, si dhe bisedimet për angazhimin e Policisë së Kosovës në organizatat përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare. Po ashtu, në takim z. Maliqi, përmendi edhe sfida me të cilat është duke u ballafaquar Policia e Kosovës, sidomos me çështjen e azilkërkuesve, të cilët po e shfrytëzojnë Republikën e Kosovës, si vend transit, për të kaluar në vende e tjera evropiane
Ndërkaq, sa i përket kontrollit të brendshëm dhe sidomos procedurave të ankesave, në rastet kur dyshohet se pjesëtarët e policisë së Kosovës kanë tejkaluar kompetencat, duke mos iu përmbajtur ligjit, z. Maliqi u shpreh se ekzistojnë mekanizma të shqyrtimit të ankesave, brenda dhe jashtë Policisë së Kosovës, siç janë Drejtoria e Standardeve Profesionale, Bordi i ankesave, Komisioni disiplinor, Inspektorati Policor i Kosovës, Komisioni për Emërime të Larta në Polici
Në këtë takim, Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, e njoftoi z. Maliqi për angazhimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, në përmbushjen e mandatit të vet në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Z. Kurteshi, po kështu, foli edhe për bashkëpunimin e deritashëm ndërinstitucional dhe në përgjithësi për natyrën e ankesave të pranuara në Institucionin e Avokatit të Popullit, ku si palë përgjegjëse konsiderohet se është Policia e Kosovës
Në fund u potencua si e domosdoshme nevoja e avancimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet PK dhe IAP me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në mënyrë që qytetari të jenë më të sigurte dhe te eliminohen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga ana e pjesëtarëve të PK