KUMTESË: Avokati i Popullit apelon që të respektohet udhëzimi adminstrativ për mjetet piroteknike
AVOKATI I POPULLIT APELON QË TË RESPEKTOHET
UDHËZIMI ADMINSTRATIV PËR MJETET PIROTEKNIKE
Në prag të festave të fundvitit çdo ditë popullata e Kosovës po ballafaqohet me krismat e fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike, të shkrepura pa kontroll dhe nga çdo grupmoshë, edhe pse përdorimi i mjeteve të tilla piroteknike është e rregulluar me udhëzimin administrativ 26/2008, i lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ky udhëzim specifikon qartë periudhën për përdorimin dhe tregtimin e mjeteve piroteknike. Periudha e caktuar është prej 26 dhjetorit deri më 2 janar, kurse mosha e personave të cilat kanë të drejtë t’i shesin dhe blejnë këto mjete piroteknike, është mbi 18 vjeç.
Në praktikë nga ajo që shifet dhe dëgjohet në rrugët e vendbanimet e Kosovës, ky udhëzim nuk është duke u zbatuar, çoftë nga shitësit ambulantë apo edhe nga individët që i aktivizojnë këto mjete piroteknike. Nëpër rrugët e vendbanimet dhe nga terasat e ndërtesave, në të shumtën e rasteve vërehen fëmijë të grupmoshave të ndryshme nën moshën 18 vjeç që aktivizojnë këto mjete të rrezikshme. Një qasje e tillë dhe indiferencë organeve kompetente ngritë shqetësime.
Statistikat e periudhës së njëjtë të fundvitit të kaluar tregojnë se, nëpër qendrat emergjente në tërë Kosovën ndihmë kanë kërkuar një numër i konsiderueshëm i të lënduarve, ndërsa vetëm në Prishtinë janë trajtuar më shumë se 100 raste të djegieve dhe dëmtimit të gjymtyrëve të trupit nga këto mjete piroteknike.
Në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i mjeteve piroteknike, Avokati i Popullit apelon tek organet kompetente që të përqendrojnë vëmendjen e tyre në respektimin e udhëzimit administrativ, për mënyrat dhe kushtet e përdorimit të mjeteve piroteknike.
Avokati i Popullit apelon po ashtu tek qytetarët, që të respektojnë normat ligjore për përdorimin e mjeteve piroteknike, në mënyrë që çdo familje të festojë e lumtur dhe e gëzuar, pa pasoja tragjike.
Me këtë rast Avokati i Popullit ua uron vitin e ri gjithë qytetarëve të Kosovës.