DEKLARATA E AVOKATIT TË POPULLIT Z. SAMI KURTESHIT, ME RASTIN E 10 DHJETORIT- DITËS NDËRKOMBËTARE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

10/12/2009

Institucioni i Avokatit të popullit
10 dhjetor 2009, Prishtinë

DEKLARATA E AVOKATIT TË POPULLIT
Z. SAMI KURTESHIT, ME RASTIN E 10 DHJETORIT- DITËS NDËRKOMBËTARE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Liritë dhe të drejtat e njeriut tani përbëjnë vlera universale dhe janë trashëgimi e përbashkët njerëzore. Kjo tani më është koncenzus i padiskutueshëm njerëzor. Republika e Kosovës është zotuar për të pranuar këto vlera duke i fuqizuar në aktin më të lartë juridik të vendit, në Kushtetutë.
Meqenëse trajtimi i barabartë përbën gurrë themelin e çdo shoqërie demokratike, ky përvjetor edhe është shpallur nga OKB si përvjetor i mos-diskriminimit. Tani në rrugëtim të ndërtimit të demokracisë, duke u mbështetur në parimin e sundimit të ligjit, të gjithë ne dhe secili prej nesh, detyrohemi për respektim të barazisë si perspektive e vetme për të ardhme më të mirë.
Përderisa të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe të drejta, qëllim dhe obligim parësor, shoqëror dhe institucional, duhet të jetë promovimi i një shteti ligjor, ku të gjithë njerëzit trajtohen në mënyrë të barabartë.
Me gjithë të arriturat, mbetet sfidë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, jo vetëm të kënaqen me obligimin pasiv, për të mos shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por të dëshmojnë përkushtimin e tyre për rolin aktiv në mbrojtjen dhe promovimin e tyre. Mbrojtja dhe respektimi më i mirë është kur shkaqet parandalohen duke i luftuar ato që në gjenezë.
Në periudhën mbi 60 vjeçare, nga lindja e Deklaratës Universale, janë miratuar mbi 60 instrumente të ndryshme ndërkombëtare, duke deleguar pjesë të sovraniteteve shtetërore për kauzën e lirive dhe të drejtave të njeriut në gjithë globin. Në kuptimin normativ, Republika e Kosovës ka përqafuar këtë filozofi pa rezerva. Sfidë e mbetet jetësimi i tyre.
Institucioni i Avokatit te Popullit përveç kryerjes së misionit të vet kushtetues për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen, do të bëhet krah i çdo nisme individuale dhe kolektive, qeveritare dhe jo-qeveritare, që mëton promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe rritjes së ndërgjegjes së përgjithshme. Si mekanizëm i pavarur për mbrojte të drejtave dhe lirive do të jemi të zëshëm në raste paragjykimesh, diskriminimi dhe të shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore. Ne na duhet ndihma dhe bashkëpunimi i secilit dhe i të gjithëve. Vetëm kur të gjithë ne dhe secili prej nesh kryen obligimin e vet, mund të bëjmë ndryshime. E në Kosovë ka nevojë për ndryshime, madje të mëdha, në lëmin e të drejtave të njeriut.