20. NËNTOR – DITA BOTËRORE E FËMIJËS
DEKLARATA E PËRBASHKËT E AVOKATËVE TË POPULLIT PËR FËMIJË TË EVROPËS JUGLINDORE
Dita botërore e fëmijës, e cila festohet me 20. nëntor, në ditën kur në vitin 1989, Asambleja e Përgjithshme e KB miratoi Konventën mbi të drejtat e fëmijës, është rast që anëtarët e Rrjetit të avokatëve të popullit për fëmijë të Evropës Juglindore, t’u bëjnë thirrje shteteve të veta për ndërmarrjen e masave në mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara të fëmijëve dhe pengimin e efekteve negative të masave antirecesive për mirëqenien e tyre.
Fëmijët përbëjnë pjesë të madhe të popullatës e cila jeton në varfëri. Koha e recesionit dhe e krizës drejtpërdrejtë godet kualitetin e jetesës së fëmijëve dhe rrezikon të drejta të tyre të shumta, përfshirë edhe të drejtën në mbijetesë dhe zhvillim.
Andaj, pa mëdyshje, vendeve të Evropës Juglindore, të cilat kanë ratifikuar Konventën mbi të drejtat e fëmijës, duhet bërë me dije që të mos kursejnë në fëmijët dhe të mos i reduktojnë mjetet dhe programet dedikuar përmirësimit të pozitës së fëmijëve në shoqëri dhe, edhe njëherë t’i përkujtojmë se, interesi më i mirë i fëmijës, duhet të mbetet prioritet në të gjitha sferat e veprimit.
Konventa mbi të drejtat e fëmijës nuk është regjistrim i dëshirave, por dokument i cili i obligon shtetet dhe ka fuqi mbiligjore.Kjo do të thotë se, edhe shteti edhe shoqëria, janë të obliguar që të gjejnë mundësi për mbrojtjen më frytëdhënëse të të drejtave dhe interesave të fëmijëve, si dhe për zgjerimin e hapësirës së kyçjes së tyre aktive dhe pjesëmarrjes në jetën e bashkësisë shoqërore.
Investimi në fëmijë ka ndikim afatgjatë, ky është në kuptimin e plotë investim në ardhmëri, që neve na obligon që fëmijëve t’u ofrojmë kujdesin, dashurinë, vëmendjen dhe përkrahjen më të madhe frytëdhënëse në rritjen e tyre.
Së këndejmi, në harmoni me Konventën mbi të drejtat e fëmijës, ftojmë shtetet në Evropën Juglindore, që t’i përmbushin obligimet e marra me ratifikimin e Konventës dhe, për të gjithë fëmijët, të sigurojnë:
• mbrojtje dhe kujdes, për çka janë obliguar me ratifikimin e Konventës mbi të drejtat e fëmijës,
• shfrytëzimin e shkallës sa më të lartë të shëndetit dhe qasje në mbrojtjen shëndetësore,
• masat përkatëse të përkrahjes prindërve dhe personave tjerë përgjegjës për fëmijët, për rritje dhe kujdes ndaj fëmijëve, duke përfshirë edhe ndihmën sociale, kur kjo është e nevojshme.
• të drejtë për shkollim pa pagesë dhe për të gjithë.
Apelojmë tek qeveritë e vendeve të Evropës Juglindore që të mos lejojnë që varfëria të bëhet shkaktare e lënies pasdore të fëmijëve, në veçanti të grupeve më të ndieshme, siç janë fëmijët e varfër, fëmijët me vështirësi në zhvillim, fëmijët pa përkujdesje prindore dhe fëmijët e pjesëtarëve të pakicave kombëtare.
Ftojmë të gjitha institucionet, individët dhe grupet që, së bashku me ne, të punojnë në promovimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe që gjithmonë të veprojnë dhe marrin vendime në interesin më të mirë të fëmijëve.