Ombudspersoni dhe Ambasadori i OSBE-së lansuan fushatën për të arritur tek të gjitha komunitetet në Kosovë
Avokati i Popullit Zt. Sami Kurteshi dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer, lansuan sot fushatën për ngritjen e vetëdijes në lidhje me rolin dhe mandatin e këtij institucioni për të drejtat e njeriut.
02 shtator 2009 KUMTESË PËR MEDIA
Prishtinë
Ombudspersoni dhe Ambasadori i OSBE-së
lansuan fushatën për të arritur tek të gjitha komunitetet në Kosovë
PRISHITNË, 2 shtator 2009 – Avokati i Popullit Zt. Sami Kurteshi dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer, lansuan sot fushatën për ngritjen e vetëdijes në lidhje me rolin dhe mandatin e këtij institucioni për të drejtat e njeriut.
Fushata, që është financuar nga Misioni i OSBE-së, përfshinë TV dhe radio spote, pano dhe postere në shumë gjuhë në mbarë Kosovën dhe do të zgjasë për dy muaj.
Përmes këtij projekti, Institucioni i Avokatit të Popullit ka për qëllim që të informojë anëtarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë lidhur me mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend dhe mënyrat për të kërkuar zgjidhje.
“Dua të inkurajojë anëtaret e të gjitha komuniteteve të cilët mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur nga autoritetet të paraqiten në institucionin e Avokatit të Popullit . Ne do të marrim parasysh secilin rast në mënyrë profesionale dhe të drejtë, dhe do të garantojmë që do ti shqyrtojmë dhe përfundojmë si duhet., “ tha Avokati i Popullit , Sami Kurteshi.
“Është kënaqësi e imja të jem dëshmitar i punës së Avokatit të Popullit të ri për të arritur tek të gjitha komunitetet, dhe në këtë punë ai e ka mbështetjen time të plotë. Është detyrë e këtij institucioni që të sigurojë se të drejtat e të gjithëve, të individëve apo grupeve specifike, do të respektohen”, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer, i cili po ashtu mori pjesë në lansimin e fushatës.
Kuvendi i Kosovës ka emëruar Zt. Kurteshi si Avokati i Popullit i parë vendor në qershor të këtij viti dhe do të duhej që të filloj procesin për përzgjedhjen e Zëvendës Avokatit të Popullit , të cilët do të jenë nga komuniteti shqiptar, serb dhe nga komunitetet jo-shumicë që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka mandat që të shqyrtojë shkeljen e të Drejtave të Njeriut dhe keqpërdorimin e autoritetit nga institucionet publike. Ky institucion, gjithashtu, zhvillon hetime, lëshon raporte dhe siguron shërbime ligjore dhe avokim publik.