U.d i Ombudspersonit kërkon nga Kuvendi i Kosovës mbrojtjen e Parkut Nacional të malit të Sharrit

26/05/2008

Shkatërrimet masive të karakterizuara me ndërtime ilegale, funksionime të gurëthyesve, prerje ilegale të drunjëve po e shkatërrojnë gradualisht Parkun Nacional të Sharrit.
Ky evidentim i bërë kohëve të fundit nga Institucioni i Ombudspersonit, ka shtyrë Ushtryesin e detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari që t’i drejtohet me një letër Kryetarit të Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi në të cilën kërkohet udhëzimi i Qeverisë së Kosovës për marrjen e masave të menjëhershme me qëllim të ndalimit të veprimeve të lartëpërmendura.
Z. Jashari, në letrën e tij drejtuar z. Krasniqi poashtu ka kërkuar formimin e një komisioni të veçantë i cili në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante do të bënte vlerësimin e përgjithshëm për gjendjen e krijuar në Parkun Nacional në mënyrë që të raportojë para Kuvendit të Kosovës për parregullsitë dhe masat e nevojshme për kthimin e parkut në gjendjen e mëparshme.
Veprimet ilegale në Parkun Nacional të Sharrit përbëjnë shkelje të tri ligjeve në fuqi siç është Ligji për Parkun Nacional të “Malit të Sharrit” Ligji për Planifikim Hapësinor si dhe Ligji për Mbrojtjen e Natyrës.
Ligjet e lartëpërmendura, e veçojnë Parkun Nacional të Sharrit si tërësi hapësinore me vlera të veçanta dhe raritete natyrore i cili përveç tjerash ka edhe vlera shkencore dhe kulturore në kuadër të së cilit ndalohet çdo aktivitet në kundërshtim me programin zhvillimor mbrojtës të Parkut Nacional.
Ligjet e lartëpërmendura janë shkelur fillimisht nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila kishte marrë vendim për aprovimin e kërkesës së Kuvendit Komunal të Prizrenit për pëlqimin e Planit Rregullativ të Prevallës.
U.d i Ombudspersonit tërheq vërejtjen se dështimi në marrjen e masae të shpejta nga Pushteti i Republikës së Kosovës për përmirësimin e gjendjes aktuale në Parkun Nacional të Sharrit konform ligjeve në fuqi, do të rezultojë në shkatërrimin e plotë të resurseve natyrore të vendit dhe pasojat do të jenë të pariparueshme.