Sot U.d i Ombudspersonit z. Hilmi Jashari ka vizituar banorët e strehuar në lagjen “tuneli i parë” në Mitrovicë të cilët kanë parashtruar ankesë…
Ankesat e pjesëtarëve të komunitetit egjiptas të cilët jetojnë në lagjen “Kolonia” të Komunës së Gjakovës, kanë shtyrë U.d të Ombudspersonit z. Hilmi Jashari që t’iu bëjë një vizitë gjatë ditës së sotme për të parë nga afër kushtet në të cilat ata jetojnë.
Në lagjen gjegjëse në të cilën bashkëjetojnë 114 familje të komunitetit egjiptian,21 familje shqiptare 2 të komunitetit rom, 2 të komunitetit ashkali dhe 1 familje serbe me gjithësejt 720 banorë, mungojnë edhe kushtet më elementare për jetesë siç është uji i pijshëm dhe strehimi adekuat.
Shumica e banorëve të kësaj lagjeje të cilët mbijetesën e tyre e sigurojnë nga deponija e mbeturinave e cila gjendet vetëm pak metra larg strehimeve ku ata jetojnë, vuajnë edhe nga pasoja e mungesës së edukimit, gjë që sipas organizatave joqeveritare të kësaj ane rezulton me ndërprerjen e shkollimit edhe të fëmijëvë të tyre.
I shqetësuar për gjendjen aktuale të banorëve të lagjes “Kolonia” si dhe për ardhmërinë e gjeneratave të reja U.d i Ombudspersonit z. Hilmi Jashari iu bëri thirrje organeve qeveritare të Kosovës që të marrin masa urgjente për sigurimin e të drejtave elementare njerëzore të këtyre banorëve duke iu siguruar strehim adekuat dhe mundësi për zhvillim socio-ekonomik, në të kundërtën, z. Jashari tërheq vërejtjen se nga mungesa e kushteve thelbësore për jetesë, trajtimi adekuat shëndetësor si dhe mungesa higjienike e këtyre banorëve mund të rezultojnë pasoja fatale për këtë lagje si dhe për shoqërinë kosovare.
Duke iu adresuar Qeverisë Qendrore dhe asaj lokale, z. Jashari përkujtoi se Konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ligjet e zbatueshme në Kosovë kanë të bëjnë kryesisht me sigurimin e jetesës dinjitoze për të gjithë qytetarët, andaj bëri thirrje për respektimin e tyre nga e qeverisë e cila edhe është zotuar për një gjë të tillë.