U.d i Ombudspersonit ka kërkuar nga kryeadministratori i UNMIK-ut ri-aktivizimin e gjykatës dhe prokurorisë në veri të Kosovës
Në një letër të drejtuar Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm Joakim Ryker, U.d i Ombudspersonit ka tërhequr vëmendjen e UNMIK-ut lidhur me implikimet që kanë pasuar si rrjedhojë e mos funksionimit të gjykatës dhe zyrës së prokurorisë në pjesën veriore të Kosovës, dhe ka kërkuar marrjen e masave urgjente për ri-funksionalizimin e këtyre organeve të rëndësishme për vendosjen e drejtësisë.
Lidhur me këtë çështje, U.d i Ombudspersonit ka theksuar se situata e krijuar në veri paraqet shkelje të rënde të të drejtave të njeriut pasiqë në këtë mënyrë një numri të madh të qytetarëve nga një qytet dhe katërdhjetë e nëntë fshatra iu pamundësohet qasja në gjykatë për t’i zgjidhur konfliktet e tyre.
Z. Jashari, duke qenë në dijeni lidhur me vështirësitë me të cilat është duke u ballafaquar UNMIK-u lidhur me sigurinë në përgjithësi, konsideron se megjithatë, është e domosdoshme që të gjindet një zgjidhje sa më shpejtë që është e mundur lidhur me çështjen në fjalë.
U.d i Ombudspersonit, ia ka rikujtuar PSSP-së se e drejta për qasje në gjykatë është pjesë e rëndësishme e neneve që kanë të bëjnë me gjykim të drejtë për të gjithë, sepse siguron mundësinë për tu ankuar lidhur me të drejtat e tyre qytetare, dhe si e tillë, përbën obligim për autoritetet vendimmarrëse që të ndërmarrin hapa pozitiv në mënyrë që të gjithë të kenë qasje në gjykatë.
Z. Jashari poashtu ka tërhequr vërejtjen se vonimi për krijimin e qasjes në gjykatën në veri të Kosovës, mund të rrezikojë edhe më tej funksionimin e ligjit dhe vlerat e mbrojtura në bazë të tij.
Gjykata dhe zyra e prokurorit në Mitrovicë, është bërë jofunksionale si pasojë e protestave të punëtorëve të mëparshëm serbë të kësaj gjykate, e cila rezultoi me dëme të konsiderueshme materiale dhe viktima në njerëz me datë 21 shkurt 2008.